Engjëll I. Berisha
Engjëll I. Berisha është poet, publicist, bibliotekar. Lindi në Korenicë të Gjakovës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Mitrovicë, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Pastaj bëri magjistraturë për bibliotekari në Universitetin e Zarës në Kroaci.
Në vitin 1989 botoi librin e parë të tij me poezi, “Dita me hënë e me nuse”, për të vazhduar pastaj me shumë vepra të tjera në lloje dhe zhanre të ndryshme.
Në vitin 1993 themeloi revistën letrare “Gazeta letrare” duke qenë dhe kryeredaktor i saj. Gjatë viteve 1995-1999, punoi në të përditshmen “Bota sot” dhe të përjavshmen “Eurozëri”. Në vitin 2002 zgjedhet kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë, klub ky i themeluar në vitin 1964. Në vitin 2012, zgjedhet anëtar i Këshillit Profesional për Teatër në Gjakovë.
Në publicistikë, me rrëfenja dhe reportazhe, botoi librin “Diaspora shqiptare”(1993), pastaj veprat, “Dyert e qiellit” (2005), “Masakra e Mejës e Korenicës” (2000), si dhe librin monografik “Martirët e Korenicës”( 2013).
Ka botuar librat me poezi, “Avenytë e muzgut” (1994), “Gjarpri në shishe” (2000), “Çati eshtrash” (2003), “Kujtesë e dehur” (2003), “Rikrijimi i librit” (2006), “Zoti i dashurisë” (2016), “Syri blu” (2018), “Heshtja i rrëfehet natës” (2021), Gjithashtu, ka botuar librin hulumtues, “Roli edukativ i bibliotekave” (2011) dhe librin me studime dhe ese, “Gjuha e sublimit poetik” (2019).
Në gjuhën angleze, botoi veprën me poezi, “Haw Much Times for an age” (2010), ndërsa në gjuhën rumune, “Varsta Cuvintelor” (2016), si dhe në gjuhën italiane “Labirinto Di Pensieri” (2020).
Është i përfshirë në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit në gjuhë të ndryshme, si: angleze, portugeze, italiane, rumune, spanjolle etj.
Që nga viti 2000 është drejtor i Bibliotekës Publike “Ibrahim Rugova” në Gjakovë.