XHEVAHIRE IZMAKU
Xhevahire Izmaku u lind më 15.08.1971 në Vushtrri. Ka mbaruar studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës ku ka fitoi gradën shkencore Doktor i Shkencat e Komunikimit.
Ajo ka punuar si profesoreshë dhe ka vazhduar me veprimtarinë e saj si aktiviste për të drejtat e njeriut brenda KMLDNJ.
Me fillimin e luftës në Kosovë, në vitet 1998 -1999, mori pjesë aktive në ndihmën e popullatës së rrezikuar nga masakrat serbe, duke qenë në shërbim të luftëtarëve të lirisë. Ishte raportuese për agjenci të lajmeve të ndryshme shqiptare dhe ndërkombëtare, si reportere e luftës.
Më pas në vitet 1999 – 2002 ka punuar gazetare-reportere në RTV 21 (medium privat në Kosovë).
Xhevahire Izmaku ka një përvojë të pasur politike, duke qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës në tri mandate gjatë viteve 2010- 2019, por edhe pjesë e institucioneve vendore nivel lokal dhe qendror.
Si deputete ka qenë kryetare e komisioneve për hartimin e ligjeve kryesore që kanë të bëjnë me mediet në Kosovë, të cilat janë ende në fuqi.
Njihet si poete dhe bartëse e manifestimeve kulturore në organizime me karakter kombëtar, siç janë Takimet e Poeteshave në Vushtrri.
Ka botuar në shtypin e përditshëm dhe periodik punime të ndryshme lidhur me kulturën, medien dhe funksionimin e administratës në Kosovë, si dhe punime shkencore në platforma të njohura ndërkombëtare.
Është profesoreshë në lëndët e komunikimi dhe gazetarisë në Kolegjin Universitar AAB, në Prishtinë.
Ka botuar katër vëllime me poezi.