Ag Apolloni

DRITA QË TË SHNDRIT MBI KOKË

Tym, zhurmë, muzikë,
birrë, raki, kafe, makiato…
ti shfaqesh si tabelë në lojën pikado.

I habitur shoh çfarë shohin të tjerët te ti:
njëri sheh flokët, tjetri sytë, dikush buzët,
secili magjepset me një pjesë të asaj fytyre,
të poshtrit shohin edhe më poshtë,
e psherëtijnë kur kalon pranë tyre.

Sorkadhe e trembur,
në malin urban ku bishat mprehin dhëmbët,
duan të të hanë pjesë-pjesë:
sytë, gojën, gjinjtë, belin, këmbët…
Unë e di që ti je më shumë se trupi yt,
dhe në heshtje të kërkoj ndjesë.

Të ndajnë në copa e thonë se je copë,
po ndonjëri ta do krejt trupin,
nga këmbët deri në flokë.
Jo, nuk jam unë ai, kurrë s’do ta bëja atë mëkat,
unë që rri e shoh aurën që të shndrit mbi kokë.

RETORIKA E HESHTJES

Sa i madh deti e sa të vegjël njerëzit!

Lahen edhe pasi në breg ndizen dritat,
lahen trupat, s’ka det që i lanë shpirtat.

I bie trup ujit me barkë,
gjithë kjo kaltërsi mbi e nën mu’,
e unë mërzitem për dy gogla blu.

Të kërkoj si hero i marrë,
D’ulqinja ime e dashur.

Emri dhe mungesa jote janë gjithkund.

Barka ban fjalë, uji mban heshtje;
një ciceron më cicëron në vesh
e unë hesht si peshk,
dhe heshtja ka gjuhën e saj.

Një ditë si kokrra e kripës në flakë
do të plasë heshtja.
Ne do t’i mbyllim sytë të qetë,
e bota do të vdesë nga kureshtja.

Tash ulur
me sytë ujë
e me gjuhë peshku
i drejtohem Zotit:
merre detin,
merre qiellin,
merre krejt këtë kaltërsi,
se e gjitha të përket ty,
e kthemi mua veç dy sy!

Zoti hesht,
peshqit heshtin,
hesht dhe unë.

Si për inat askund nuk dukesh ti.

Turistët kalojnë pranë heshtjes,
dhe heshtja ishte pranë Perëndisë,
dhe heshtja ishte Perëndi.

BUBAT NE BANESËN TËNDE

Numri i katit të banesës tënde
është numri i viteve që na ndan nga ajo natë.
Tash kaloj mbi kurriz të asaj rruge
dhe mërzitem për bubat që s’na linin rehat.

I kemi stërpikë gjithkah, po nuk dalin fare, –
më kujtohet ai zë i ëmbël
që dilte nga buzët e tua
aq të etura për buzët e mia,
teksa më shikoje si në faj
e më strukeshe në gjoks si fëmija.

Mandej bubat shihnin betejën tonë:
kopsat e këmishës fluturonin,
të brendshmet e tua të rrjetëzuara shqyheshin…
Niste një shfaqje kanibaleske
para një publiku prej bubash.

Tash poshtë banesës tënde i kujtoj bubat, jo ty.

Tashmë ti je në krahët e një tjetri.
Ndoshta je rehat me të, këtë s’kam si ta di,
vetëm uroj që herë pas here bubat të të vizitojnë edhe në apartamentin e tij.
Ti ndoshta s’do t’i lexosh kurrë këto vargje
që gjithsesi për ty nuk po i shkruaj.
Jo, në fakt, unë po flas për bubat
dhe si një bubë e mirë
po e lë në rehatinë e saj gruan e huaj.

Sot në barin poshtë banesës tënde të dikurshme
unë po pi për shëndetin e bubave.

Pas asaj nate,
që ndodhi para shumë vitesh,
para shumë shekujsh,
kam fjetur në shtretër të shumtë,
në dhoma të shtrenjta,
në jastëk me pupla,
e më e mira ende më duket
dhoma ku bujta me buba.

Paguaj faturën e fatit dhe dal nga bari,
shpejtoj hapin të dal nga hija e banesës tënde,
nga kjo hije që shtrihet si një bubë e madhe hatá.
Unë eci, buba rritet dhe e kuptoj se prej saj
nuk do të çlirohem kurrë ma.

Aktivitetet e fundit

Aktivitete të tjera