‘Ora e Shkrimtarit’ me Sali Bashotën u mbajt në Gjimnazin e Fushë Kosovës

Shkrimtari Sali Bashota, pa më të voglën mëdyshje kishte zgjedhur shkollën ku do ta zhvillonte bashkëbisedimin e tij për tema të ndryshme të letërsisë. Pra, kishte zgjedhur një shkollë të mesme që është model në Kosovë.

Kështu në një atmosferë poetike, në praninë e nxënësve dhe mësimdhësve të gjimnazit “Hivzi Sulejmani” të Fushë Kosovës dhe të përfaqësuesve institucionalë të kësaj komune, si edhe të disa mësimdhënësve të shkollave të mesme të Prishtinës, u mbajt Ora e Shkrimtarit me poetin, studiuesin e letërsisë dhe profesorin universitar, Sali Bashota.

Në fjalën e tij, shkrimtari Ibrahim Berisha, paraqiti të dhëna bio-bibliografike për Sali Bashotën, duke e vlerësuar si njeri të librit dhe të bibliotekës, dhe në radhë të parë si poet, pastaj autor i shumë veprave me prozë poetike dhe studime letrare, si dhe i përkthyer edhe në shumë gjuhë botërore.

Berisha përmendi kontributin e Bashotës në fushën e letërsisë shqipe përbrenda një periudhe mbi dyzetvjeçare dhe u përqendrua sidomos te ndërlidhja e zhanreve përbrenda krijimtarisë së këtij autori.

Në fjalën e tij, poeti Sali Bashota, vuri në dukje ngjarje të paharrueshme që ndërlidhen me fillimet e tij krijuese në shkollën fillore të Kijevës, pikërisht me botimin e poezisë së tij të parë me titullin “Nëna”, e cila qe botuar në rubrikën e së martës “Rilindja për fëmijë”, në kuadër të gazetës së përditshme “Rilindja”.

Në diskutimin e tij për letërsinë, Bashota foli për procesin krijues të veprave të tij, për frymëzimet, për përvojën krijuese, me një fjalë, për hyrjen e tij në botën e letërsisë, aty ku rrinë bashkë, fantazia dhe dashuria.

Duke folur për veprat e tij të shkruara me poezi, Bashota ofroi shembuj të shumtë sesi i shkruan veprat e veta, në cilën periudhë kohore, duke zgjedhur orët e hershme të mëngjesit, pastaj cila është stina më e preferuar e tij që ndërlidhet me aktin e frymëzimimit, si i grumbullon kujtimet dhe si i ndërton mendimet, cilat figura poetike i përdor më së shpeshti për ta fuqizuar ndjenjën e mrekullimit figurativ apo pse ka shkruar dhe shkruan kaq shumë poezi erotike, madje edhe një libër të tërë me 99 poezi të rimuara, me titullin ” Në fillim ishte Drita” apo si e kishte shkruar brenda tri javëve librin poetik “Lutja e parë e shpirtit”, të përbërë me 101 poezi.

Më tutje foli për lidhjen e tij shpirtërore me letërsinë që në periudhën kur ishte në Gjimnazin e Kijevës, kur ishte student, pastaj asistent e profesor universitar.

Në mesin e shumë krijimeve të tij më të dashura, dalloi poezinë “Vjersha që po jepte shpirt”, e cila është përkthyer në pesëmbëdhjetë gjuhët të botës. Para pjesëmarrësve, poeti zbërtheu aktin e frymëzimit dhe ndjesinë shpirtërore në realizimin e kësaj poezive, në prag të periudhës së fillimit të luftës në Kosovë.

Gjithashtu, evokoi kujtime të dhimbshme për djegien e shtëpisë, bibliotekës, fotografive nga pushuesit serbë, dhimbje që e ka trajtuar në shumicën e veprave të tij poetike, ndërsa në mënyrë të veçantë në veprat “Dalje nga trishtimi” (1999) dhe “Dorëshkrimi i ngjallur” (2011).

Bashota i ripërsëriti mendimet që i kishte thënë në një intervistë, se: “Koha, kujtesa dhe shkrimi janë si ëndrra, realiteti, përjetimi apo edhe diçka më tepër kur bëhen të pashmangshme në procesin krijues. Pra, arti artikulon edhe dhimbje, jo vetëm kënaqësi. Kujtimet e hidhura kurrë nuk mund të bëhen të lumtura, edhe pse veprat letrare përpiqen ta bëjnë këtë të dytën”.

Në bashkëbisedim me nxënësit, Bashota i përmendi shkrimtarët shqiptarë që i adhuron (Mitrush Kuteli, Faik Konica dhe Mid’hat Frashëri), shkrimtarët botërorë prej të cilëve ka mësuar më së shumti (D. Alighieri, J. L. Borgesi, U.Eco). Në mënyrë të veçantë përmendi rëndësinë që e ka leximi për gjeneratat e reja në formimin e personalitetit të tyre, në shumë fusha të jetës dhe të profesionit.

Pyetjet mjaft interesante të nxënësve, të cilat kishin të bënin me autorë e vepra të letërsisë shqipe dhe të letërsisë botërore, Bashota iu përgjigj, duke marrë edhe shembuj konkretë. Ndër të tjera, tha: “Leximi është freskim i shpirtit dhe pasurim i mendjes. Kurrë mos i ndani veprat: në vepra të këqija dhe në vepra të mira, por në vepra që mësoni pak apo aspak dhe në vepra që mësoni shumë dhe iu bëjnë të lumtur”.

Në vazhdim të takimit, poeti Bashota, i nxiti talentet e reja të kësaj shkolle që të merren me krijimtari letrare, duke e cituar mendimin e Lasgush Poradecit se: ” Poezia nuk është te fjalët. Poezia është te poeti”. 

Në fund, në shenjë të motivimit të krijuesve të rinj për t’u marrë me shkrime letrare, e dalloi nxënësen e kësaj shkolle, Muza Grajçevci, e cila kishte shkruar poezi të bukura. Me këtë rast, i premtoi botimin e librit të saj të parë, duke përfshirë të gjitha shpenzimet profesionale e materiale. Padyshim, një nismë e qëlluar që sigurisht do ta marrin edhe shkrimtarë e tjerë për përkrahjen e krijuesve të rinj. 

Projekti ‘Ora e Shkrimtarit’ është pērkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Aktivitetet e fundit

Aktivitete të tjera