Në bibliotekën “Azem Shkreli” në Pejë u mbajt “Ora e Shkrimtarit” me poeten Naime Beqiraj

Në një ambient të bukur, rrethuar me libra llojesh dhe zhanresh të ndryshme dhe me praninë e shumë pjesëmarrësve, në Bibliotekën “Azem Shkreli” në Pejë, u mbajt Ora e shkrimtarit me poeten Naime Beqiraj. Ky ishte takimi i dymbëdhjetë më radhë, i organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, projekt i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili po organizohet në shumë qendra të Kosovës.

Aktiviteti u moderua nga shkrimtari Binak Kelmendi, i cili prezantoi Naime Beqirajn, si poete, gazetare dhe drejtoreshë e Bibliotekës së kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Duke i përmenduar veprat kryesore të saj të shkruara deri më tani, Kelmendi vlerësoi lart krijimtarinë letrare të Beqirajt në kuadër të zhvillimeve të poezisë së sotme shqipe.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Xhenet Syka, drejtore e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Pejës, e cilësoi Naime Beqirajn si një zë të veçantë poetik që dallohet me vlerën e poezisë së saj. Pos kësaj, znj. Syka, foli edhe për kontributin e Naime Beqirajt në organizimin e edicionit XX-të jubilar të Takimeve Letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli” në Pejë.

Ndërkaq, poeti dhe studiuesi, Sali Bashota, i cili njëherësh është udhëheqës i këtij projekti, tha se takimet e tilla kanë vlerën e tyre, në radhë të parë, për rëndësinë e letërsisë kombëtare dhe për leximin në përgjithësi, sidomos për gjeneratat e reja. Prandaj takimi i sotëm është një mundësi e mirë për të biseduar për temat që ndërlidhen me arsimin, kulturën dhe për nxitjen e talenteve të reja, për t’u marrë me fusha të ndryshme të krijimtarisë letrare.

Ora e Naime Beqirajt në Bibliotekën “Azem Shkreli”, në Pejë ishte e ndërlidhur me kujtimet e fëmijërisë së saj, pastaj me fillimet krijuese dhe me botimet e poezive të para në revistat letrare që botoheshin në Kosovë. Në këtë mënyrë, poetja Beqiraj shpalosi kujtime të shumta nga përvoja e saj krijuese, të ndërlidhura edhe me qytetin e bukur të Pejës, pikërisht me vendlindjen ku burojnë frymëzimet e shpirtit, si dhe me pasionin e dashurinë për librin, leximin, miqtë etj.

Pasi lexoi poezinë e saj “Xhubletë e n’ejme n’kambë”, e cila me përmbajtjen interesante dhe me ritmin e saj, veçanërisht në të folmen gege, para së gjithash, i emocionoi të gjithë të pranishmit, Beqiraj foli për përvojën e saj krijuese, për bashkëpunimin me Azem Shkrelin dhe me poetë të tjerë, për vitet e studimeve në Prishtinë, duke përfshirë orët letrare të organizuara nga Klubi

Letrar “Jeronim de Rada” i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, si dhe për shumë aktivitete të tjera letrare dhe kulturore.

Në vazhdim evokoi periudhën e botimit të librit të parë me poezi “Mbi Siparunt”, pastaj të librave “Maket Kosove”, “Njomja e fikut”, përfshirjen në antologji të shumta të poezive brenda dhe jashtë vendit, për përkthimin e poezive të saj, por edhe për profesionin e gazetares në disa mediume në Kosovë, para dhe pas luftës.

Në pjesën e fundit të këtij aktiviteti letrar u zhvillua një bashkëbisedim me poeten Naime Beqiraj, me ç’rast nga të pranishmit iu parashtruan pyetje të shumta, kryesisht që ndërlidheshin me krijimtarinë e saj poetike në të kaluarën dhe për projektet krijuese në të ardhmen, por u debatua edhe për probleme të ndryshme të letërsisë, kulturës, leximit, promovimit të vlerave krijuese etj./KultPlus.com

Aktivitetet e fundit

Aktivitete të tjera