Në shkollën “Mileniumi i Tretë” u mbajt “Ora e shkrimtarit” me Agron Gashin

Në praninë e nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës jopublike “Mileniumi i Tretë” në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës, organizoi Orën e shkrimtarit me Agron Gashin, përcjell KultPlus.

Aktivitetin e moderoi shkrimtari dhe profesori universitar, Sali Bashota, i cili prezantoi krijimtarinë e Agron Gashit, duke vlerësuar kontributin e tij në fushën e studimeve letrare dhe të prozës.

Në fjalën e tij për procesin e shkrimit letrar, të cilën e kishte ndarë në tri pjesë: “Homeri im”, “Kulla me rrëfime” dhe “Pushka”, Agron Gashi,  në mes tjerash elaboroi kronologjikisht procesin e shkrimit si akt subjektiv, duke theksuar se: “Kryemuza ime ishin leximet. Duke qenë se leximi është akt subjektiv ngadalë krijoi te unë njëfarë motivimi të pashpjegueshëm dhe tejet sfidues, që të shkruaj ndonjë tekst poetik. Kjo ishte si të bëje provë me zjarrin”. Po ashtu, Gashi duke folur për  aktin e krijimit, qoftë emocion në vargje, qoftë rrëfim në prozë, ai në mes tjerash potencoi tendencën e studiuesit përballë krijuesit: “Studiuesi duhet të provojë të bëjë definime, të sistemojë, të vë rregulla. Shkrimtari duhet të provojë të thyejë definime,  të prishë rregulla. Prandaj shkrimtarët në çdo kohë janë të veçantë.”

Përveç tjerash, Agron Gashi, u ndal në procesin e shkrimit të romanit të tij, duke nënvizuar çështje të cilat e kanë shoqëruar gjithë procesin e shkrimit, provën e përvojën e tij autoriale : “Romani është gjini vështirë, është kultivim, i cili kërkon durim e zanat, gjuhë e stilshmëri. Sot, romani, po ashtu është kujtesë e dëshmi. Me romanin ‘Talianka’, kam provuar të gjitha, përvojën jetësore, kallëzimet e atij ‘Homerit’ tim, kallëzimtarit të fëmijërisë sime, dhe të të gjitha rrëfimet prej gjysmë shekulli që të mblidhen në një objekt, siç është  arma. Aty mësova më mirë se rrëfimet janë në ne dhe ne kemi nevojë për to. E ndjeja nevojën që të sjellë një roman me rrëfim modern e teknika postmoderne, por gjithnjë me frymë tipike shqiptare, një roman për luftën, për mbijetesën, për atdheun, për dashurinë. Kështu, kam provuar të  shkrij dijen teorike në praktikë, përkatësisht në krijimin e një vepre të mirëfilltë artistike, që mund të lexohet nga të gjithë.Romanin e kam strukturuar në frymën e tregimeve, të cilat funksionojnë si tërësi, por edhe si njësi të vetme rrëfimore.  E kisha më lehtë që ta ruaja linjën fabulative dhe të integroj edhe rrëfime të tjera. Aty kam provuar t’i rrëzoj mitet për historinë, për heroin, për  luftën e lirinë. Krejt bëmat  e mëdha dhe rrëfimet janë të lidhura për armën si simbol i mbrojtjes dhe femrën si simbol i dashurisë. Ajo që e vë lexuesin në mëdyshje është përkushtimi provokues, i dhënë përmes një oksimoroni të llojit të vet, si “fiksione të vërteta”. Po, sepse shumica që janë thënë aty, pothuaj të gjitha janë të vërteta, vetëm se thënë me gjuhën e letërsisë.”

Tutje, duke folur referencat letrare e kulturore, Gashi në mes tjerash tha: “ Por, që një pjesë e tyre janë rrëfyer fshehurazi. Atje prej nga vijë, edhe sot nuk guxojnë t’i thonë këto të vërteta. Dikush thotë se hapin plagë të reja. Ama unë ua kam veshur dy personazheve burra, e që përballë kanë dhjetëra personazhe femra.

 Pra, që në fillim jepen personazhet dhe vdekja e heroit të veprës, pastaj vazhdon monologu i ‘taliankës’, përmes së cilës shpërfaqet historia e një arme të tipit “corcano”, e cila bëhet temë, personazh, narrator, objekt që i përcjell ngjarjet dhe ato i vihen pas, duke filluar nga pushtimi i Italisë e deri në ditët e këtij fillimshekulli.

Të gjitha këto shtrihen herë në formë të rrëfimit klasik, herë në formë të tregimit në fusnotë, herë përmes formave dramatike. Sidoqoftë, linja rrëfimore historike nis me udhëtimin e ‘taliankës’ e dalë nga duart e Maestro Salvadores (armë e njohur në Luftën e Dytë Botërore, e cila ishte pjesë e luftimeve të forcave italiane nga Evropa deri në shkretëtirat e Abisinisë), një armë me nam, e cila luan rolin e një rekuizite, imazhi, objekti prej nga sillet dhe ndërtohen subjektet e tjera të rëndësishme. Kjo armë njihet edhe me nofkën ‘Vdekja e lehtë’, përmes së cilës nofkë implikohen edhe vrasjet e të famshmëve, si: Xhordano Bruno, Xhon Kenedi dhe Sadam Hyseini. Për të parin dhe të tretin paraqet modelin e vdekjes së vështirë dhe për të dytin modelin e ‘Vdekjes së lehtë’.

Një armë si kjo bëhet pjesë e udhëtimeve ushtarake në Shqipëri, pastaj edhe në Kosovë. Nga këtu fillon edhe historia e kësaj arme, duke qenë herë në rolin e sjellëses së fatkeqësisë (kujto vitet 1956-1990), e herë në rolin e mbrojtjes, më vonë për t’u transmodeluar në një objekt kulti e besimi për personazhin kryesor. Ajo që e bën që ky roman të mos quhet roman tipik erotik është historia e kësaj arme, përmes së cilës përvijohet kodi nacional, periudhat historike, si: aksioni i armëve i vitit 1956, 1968, vitet 1990 dhe lufta e fundit e deri te paslufta.

“Talianka”, edhe pse është një ndër librat e ndërtuar mbi shenja të jetës reale, mjeshtërisht komunikon me tekste të ndryshme të letërsisë e të kulturës së përbotshme. Aty përftojnë tekste nga Bibla e Kurani, herë si citate origjinale, e herë si perifrazime.  Prania e letërsisë së madhe vërehet edhe në vetë kapitujt, titujt e disa kapitujve të këtij libri, si: “E premtja e zezë”, “Dhjetë udhëzime dashnije”, e para biblike, e cila lidhet me realitetin historik dhe tragjik: pushtimin e Shqipërisë nga Italia dhe luftën e fundit në Kosovë; dhe, e dyta, përveç me ligjërimin autentik konoton edhe me “Dhjetë udhëzimet e Davidit”, pa përjashtuar strukturën rrëfimore të “Dekameronit” të Bokaçios, rrëfimet e lashta të Botës së Lindjes, me në qendër edhe tekste kuranore, si “Suren e njëqindtë” (ndeshja me kalin e çmendur) etj. Gjithashtu, aty bashkëjetojnë tekste të tipit të parabolave të Rumiut, me tekste nga “Kabalahh”, “Libri i të Vdekurve”, porse ajo që theksohet më shumë janë dy personazhet kryesorë: Mixha dhe Mocniku i tij, që me bëmat e tyre shpeshherë u ngjajnë aventurave në çift, si ato të Don Kishotit dhe Sanço Pançes së Miguel De Servantesi-t.”

Në fund të aktivitetit u zhvillua një bashkëbisedim me autorin, kryesisht për temat e letërsisë së tij.

Projekti “Ora e shkrimtarit” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Aktivitetet e fundit

Aktivitete të tjera