NJË INTERPRETIM LIBERAL I LIRISË NJERËZORE
Në përmasat e mendimit modern amerikan, literaturës filozofike dhe sociologjike
amerikane, Rose Wilder Lane është e njohur si njëra nga themelueset e lëvizjes liberale amerikane, një lëvizje e fuqishme nga fillimi i shekullit njëzet në Amerikë, që lindi si
përgjigje ndaj lëvizjeve autokratike, që po krijoheshin që nga Rusia bolshevike e deri tek
Gjermania social-nacionaliste. Libri Zbulimi i lirisë është pikërisht frut i kësaj kohe dhe i
libertianëve të përfaqësuar nga autorja amerikane, Rose Lane, gazetare, udhëpërshkruese,
shkrimtare dhe teoriciene politike.
Ndonëse me fille modeste, e njohur kryesisht si shkrimtare dhe gazetare, Rose Lane u
shqua nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, si një mbrojtëse e vendosur e lirisë dhe ideve
liberale. Lane u bë posaçërisht e famshme me librin e saj Zbulimi i Lirisë, botuar në vitin
1943, i cili gjurmon zhvillimin gjashtëmijë vjeçar të lirisë, nga rrënjët e saj në traditën judeo-krishtere, te rrënjët e Islamit e deri te ditët e sotme, me demokracinë amerikane. Libri që paraqet një interpretim liberal të lirisë njerëzore dhe që përshkruan tri përpjekje historike të njeriut për të qenë i lirë, u bë një vepër klasike e mendimit modern amerikan dhe një nga dokumentet themelore të lëvizjes moderne liberale.
Për ne shqiptarët, është për tu ditur se në vitin 1921, Rose Wilder Lane, vizitoi
malësinë e Dukagjinit dhe Luginën e Shalës në veri të Shqipërisë dhe ai udhëtim në malet
shqiptare e bëri atë miken dhe mbështetësen më të madhe të Shqipërisë dhe të popullit
shqiptar gjatë tërë jetës së saj. Nga ky udhëtim del edhe përshkrimi i organizimit shoqëror të shqiptarëve, si referencë në disa raste në këtë libër. Rose Wilder Lane (1886-1968) lindi në South Dakota, autore e librave Shtëpiza në preri, shkrimeve të njohura si klasike për shkollarët amerikanë, vepra të shndërruara në serial filmash, të popullarizuara në vitet e tetëdhjeta edhe në Kosovë. Rose kaloi fëmijërinë në Misuri dhe në vitin 1908, u shpërngul në San Francisko, ku zuri të shkruante për faqen e grave në San Francisco Buletin.
Me tregimet e saj të shkurtra, ajo u bë shkrimtarja më e paguar nga mesi i grave në Shtetet e Bashkuara. Pas botimit të librit të saj të parë, ajo bëri studime dhe raportime mbi rrethanat në Europë dhe në Lindjen e Afërt. Ajo udhëtoi në Paris dhe, prej andej, në Itali, Greqi, Jugosllavi dhe Shqipëri, e cila u bë vendi i interesimit të saj të
përhershëm. Rozë Uajlder Lein është autore e shumë librave, ndër të cilët, më të njohurit
janë: Zbulimi i lirisë, Rrugë të kundërta, Majat e Shalës libri biografik mbi Presidentin
Huver, Bërja e Herbert Huverit, Pionierët e rinj dhe libri që sërish lidhet me shqiptarët
Udhëtimi me Zenobian: Paris-Shqipëri me një Ford-T: Ditar, etj.
Udhëtimet në Shqipërisë e Veriut i shërbyen asaj si frymëzim për librin e saj më të
njohur Majat e Shalës, duke qenë një regjistrim i shtegtimeve në mesin e fiseve malësore të Shqipërisë, më 1921. Një vit më pas, ajo vizitoi Tiranën, kryeqytetin e ri të Shqipërisë, dhe u gjend në mes të një lufte politike për pushtet të shqiptarëve dhe në përleshje mes tyre, në fillim të ngritjes në pushtet të Ahmet Zogut (ministrit të brendshëm dhe mbretit të
ardhshëm të Shqipërisë) të cilin ajo e admironte pa masë.
Rose Lane kaloi shumë kohë në Shqipëri dhe prej andej u mor me shkrime, të cilat i
botonte në revistat dhe gazetat amerikane. Nga ajo kohë ka dhe një dosje me letrat nga
korrespondenca e saj e bujshme, Dosja shqiptare" që përfshinë periudhën nga 1929-1967, dhe që pasqyron interesimin e saj të vazhduar për Shqipërinë. Ajo përdori ambientin shqiptar për disa nga tregimet e saj të shkruara gjatë viteve 1930 dhe kishte një interesim personal për këtë vend për arsye të shumëfishta.
Libri i saj kryesor Zbulimi i Lirisë" është konsideruar në letrat amerikane si njëri nga
tre librat që lansoi lëvizjen moderne liberale amerikane. Libri fokusohet në tri përpjekje
historike të njeriut për të qenë i lirë dhe në "përpjekjet e njeriut kundër autoritetit. Autorja sjell zbulimin e lirisë përmes gjurmimit historik të të drejtave të pronësisë, lirive civile dhe qeverive përfaqësuese, konfliktit midis lirisë dhe autoritetit individual.
Sipas mendimit të autores, shpërthimi i inovacionit në Perëndim, dhe në veçanti në
Amerikë, ishte rezultat i refuzimit të idesë se një forcë e jashtme duhet të kontrollojë
vullnetin e njeriut. Lane dëshmon se përpjekjet e sundimtarëve për të kontrolluar jetën
ekonomike kanë qenë normë që ka shoqëruar njeriun në tërë historinë njerëzore.
Këto përpjekje kanë mbajtur pushtetin e njeriut të lidhur me zinxhirë për shkak se, siç shpjegon ajo, progresi ekonomik paraqet një ndryshim në përdorimin e energjive produktive për njerëzit dhe se vetëm ata individë që veprojnë kundër mendimit të shumicës të kohës së tyredo të përpiqen të bëjnë një ndryshim të tillë: Bamirësit më të mëdhenj të njerëzimit, zakonisht janë konsideruar si të marrë. Sipas saj, janë tri epoka kryesore të përpjekjes së njerëzimit për të qenë i lirë: periudha e Krishterizmit, periudha e Islamit dhe demokracia amerikane.
Ndoshta më interesante për lexuesin bashkëkohor është kapitulli mbi epokën e artë të
qytetërimit islam. Bota myslimane, shkruan ajo, lulëzoi nën parimet pluraliste. Tregtia ishte e gjallë dhe idetë më të mira matematikore dhe shkencore të botës së lashtë janë rizbuluar,
ruajtur dhe përmirësuar nga dijetarët myslimanë. Ajo ia atribuon rënies nga ajo pikë e lartë e qytetërimit fatalizmit dhe refuzimit të idesë se përpjekja e individit është virtyti kryesor.
Në kohën kur sot në Perëndim ka një paragjykim të ngarkuar sa herë përmendet fjala
Islam duke e lidhur gjerësisht me dhunën dhe terrorizmin, lexuesi do të gjejë në shembullin e Rose Leinit një zë që e përshkruan Islamin si një sinonim të tolerancës dhe histori të paqes dhe respektimit të të drejtave individuale.
Pa autoritarizmin që mbizotëronte në Mesjetë në Europë, myslimanët avancuan
shkencat dhe aplikuan teknologji të reja. Ata zhvilluan konceptet jetike matematikore të zeros dhe trigonometrisë sferike dhe i aplikuan ato në arkitekturë dhe navigacion. Derisa europianët fajësonin demonët për sëmundjet, myslimanët e shekullit të dhjetë, thekson Lane, përdornin të gjithë farmakologjinë mjekësore të sotme amerikane". Thuhet se në shekullin e nëntë vetëm në Bagdad kishte 60 farmaci dhe kirurgët e tyre kryenin operacione të suksesshme me anestezi lokale.
Lane gjithashtu argumenton se Perëndimi u ekspozua ndaj ideve të lirisë që çojnë
drejt ngritjes së saj, nëpërmjet kontakteve me tregtarët dhe dijetarët myslimanë. Ajo vë në dukje se spanjollët katolikë, ndonëse mirëpriten mbretërit konkuistadorë, megjithatë nuk hoqën dorë kurrë nga liria që kishin gëzuar nën sundimin islam (e cila ishte tolerante ndaj dallimeve fetare). Ata kërkuan dhe morën garanci të shkruara për liritë e tyre. Magna Carta, për të cilën perëndimorët thonë se përmban fillet e idesë së qeverisjes së kufizuar, lindi si rezultat i presionit nga ana e parisë angleze, që ishte kthyer nga kryqëzatat, ku ata kishin mësuar se udhëheqësi mysliman Saladini i nënshtrohej ligjit si çdo qytetar tjetër.
Megjithatë, ky është një libër shumë i lexueshëm, që flet si për myslimanët ashtu dhe
për jomyslimanët. Libri risjell para myslimanëve të sotshëm parimet e mëdha të lirisë si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tyre dhe nga të cilat udhëheqësit e tyre modernë janë larguar. Për jomyslimanët, kjo është një kujtesë e vlerës universale të lirisë dhe ndërmarrësisë së papenguar nga ndërhyrja e qeverisë. Kur mendja e njeriut dhe energjitë janë të lira, njerëzit do të kenë mbarësi dhe përparim, është konkludimi i Rose Lane-it dhe ky është kryemesazhi i këtij libri intrigues.
Lane përmbledh shkurtimisht shfaqjen e lirive me bazë ligjore në Britani, të të
drejtave të mishëruara në Magna Carta. Kjo traditë e të drejtave individuale, megjithatë,
lulëzoi plotësisht në Shtetet e Bashkuara. Autorja jep një përshkrim të shkurtër por të
pasionuar të luftës amerikane për pavarësi, dhe dëshmon se si Revolucioni Industrial ishte
rezultat i Revolucionit Amerikan dhe ndarjes së ndërmarrësisë nga kontrolli shtetëror.
Edhe pse Zbulimi i Lirisë u botua fillimisht në vetëm 1,000 kopje, efekti i këtij libri
ishte mbresëlënës. Me botimin e dytë, më 1971, ai kishte një jehonë të madhe dhe një impakt të rëndësishëm në lëvizjen liberale që solli angazhimin edhe të shumë ithtarëve të cilët zbuluan lirinë përmes Rose Wilder Lane.
Kritikët e kanë quajtur "Zbulimin e lirisë" si një himn elokuent mbi energjinë
njerëzore dhe fuqinë e saj krijuese. Autorja mëtonte të nxirrte në pah dallimin që bëri
Amerika ku individit i lejohej liria nga autoriteti qeveritar. Amerikanët u shkëputën nga ideja që dominonte në të gjithë historinë e njerëzimit se njerëzit duhet të jenë të varur nga një autoritet i gjithëpushtetshëm qeveritar për t'u dhënë atyre mirëqenien dhe se liria e energjisë së papenguar njerëzore është ajo që bën ndryshimin, konkludon ajo.
Fakti se qeniet njerëzore kanë brenda vetes kapacitet për të trasuar vetë rrugën e tyre,
shkroi ajo, krijoi qytetërimin më të lavdishëm në historinë botërore. Andaj, pasioni i saj ishte që të tjerët të kuptojnë shkakun: jo pushteti, por nisma dhe veprimi individual. Ajo mbështeti këtë ide duke hulumtuar pjesë nga historia e botës së lashtë dhe deri nga mesi i shekullit njëzet, duke besuar se ajo kishte zbuluar përgjigjen lidhur me atë se çfarë ishte ajo që transformoi botën nga një vend i errët, i mjerë, i neveritshëm dhe i rrezikshëm në një vend ku njerëzit lulëzojnë dhe krijojnë. Ajo më tej dënon të gjitha prirjet politike të kohës së saj, që nga fashizmit, komunizmi, New Deal-i, dhe sulmon luftën si veprimin më shkatërrues të të gjitha të këqijave.
Ky pasus nga libri i saj, produkt i dekadave të studimit të përvojave vjen i drejtpërdrejtë dhe konciz:
Për gjashtëdhjetë shekuj të njohur, një shumësi njerëzish kanë jetuar në këtë tokë.
Gjendja e tyre ka qenë një gjendje permanente njerëzore. Dëshira e tyre për të jetuar ka qenë gjithnjë po aq e fortë sa dhe kjo jona. Energjia e tyre ka qenë gjithmonë e bollshme për ta bërë këtë tokë të paktën të banueshme për qeniet njerëzore. Zgjuarsia e tyre ka qenë e madhe. Megjithatë, për gjashtëmijë vjet, shumica e njerëzve kanë vuajtur nga uria. Turma njerëzish kanë vdekur nga uria dhe akoma vdesin në këtë tokë. Para nëntëdhjetë e pesë vjetësh, irlandezët po vdisnin urie dhe askush nuk habitej nga kjo. Europianët nuk kishin pritur asnjëherë që të merrnin nga kjo tokë mjaft ushqim për t’i mbajtur të gjallë.
Po, pse vdiqën nga uria njerëzit gjatë gjashtëmijë vjetëve?
Për mijëra vjet, qeniet njerëzore kanë shfrytëzuar energjitë e tyre në përpjekje të
pasuksesshme për të siguruar strehë të mjerë dhe ushqim të mangët. Pastaj, në një skaj të
vogël të tokës, disa njerëz përdorën energjitë e tyre në mënyrë aq efektive sa që tre breza po krijojnë një botë tërësisht të re. Ku e ka kjo shpjegimin…
Prirja e veçantë e Lane ishte të vinte në pah aspektet pozitive, optimiste të vizionit
liberal. Sipas saj, megjithatë, ky revolucion vetëm sa ka filluar. "Kur të gjithë njerëzit do ta dinë se kanë lindur të lirë, energjia e tyre do të mbizotërojë mbi këtë tokë", është konkludimi i autores në këtë libër që tani gjendet edhe në duart e lexuesit shqiptar.