KOKA E BANUSH KAMBERIT *
Më këputën nga trupi me sharrë
Dhe më futën në një torbë,
Trupin e tërhoqën oborrit zvarrë
Dhe e lanë të dergjej mbi borë.
Nuk di kështu nga po më hupin,
Në Kragujevc a në Beograd
Një kokë që nuk e ka trupin
S’kanë pse e zhdukin kaq larg.
Nuk jam koka e Ali Tepelenit**
Që tronditi një perandori,
Jam veç koka e Banush Kamberit
Fshatar i thjeshtë, në pleqëri.
Por, për asgjë nuk më pyet njeri,
E si mund të të pyes krimineli?
Udhëtoj futur në torbë nëpër Serbi
Ndoshta deri sa të këndojë gjeli. ***
Pastaj nga t’ia mbaj, ku të shkoj
I ngrirë në tepsi me mjaltë? ****
Unë kam dëshirë të fluturoj
E të kthehem në Reçak.
Të kthehem e të gjej trupin tim
Ta gjej veten time të vrarë,
Edhe të shihja me sytë e mi atë krim
Që lanë prapa këta barbarë.
Por, s’fluturon një kokë e prerë
As nuk ecën pa kokë një njeri.
Përveç më legjendat serbe, që saherë
Rishfaqen, na therin e na vrasin përsëri.
* Fshatar nga fshati Reçak i Shtimes. Më 15 janar 1999 forcat policore serbe e vranë dhe pastaj ia prenë kokën. Kokën e prerë e morën me vete, prandaj ajo ende nuk është gjetur.
** Ali Pashë Tepelena ishte sundimtar shqiptar i Pashallëkut të Janinës. Pasi e vranë me pabesi, ia prenë kokën dhe ia dërguan në Stamboll, si provë se e kishin eliminuar pashain rebel.
*** Ekziston legjenda sipas të cilës Millosh Obiliqi ka ecur me kokë të prerë nga fushëbeteja e deri në fshatin Bajmoc. Sipas legjendës, kur ka kënduar këndezi i mëngjesit, i ka rënë koka nga duart dhe ka mbetur aty i vdekur.
**** Kokën e prerë të kryengritësit të famshëm serb, Karagjorgjes, vasalët- lojalistët serbë ia patën dërguar sulltanit në tepsi të ngrirë në mjaftë, që të mos prishej deri sa të mbërrinte në Stamboll.
UDHËTIMI I VJOLLCA BERISHËS *
Nuk e di ku jam, a është ky udhëtim
Gozhduar në këtë arkivol fluturues.
Apo mos është ky një aterim
Drejt thellësive të ferrit shkrumbues?
Nuk di jam në qiell a jam në tokë.
Por mes të vdekurve po.
Të rënë edhe mbi mua, si pa kokë!
Oh, të gjithë këta i njoh!
Janë njerëzit e dashur, njerëzit e mi
Qenkan të pajetë të gjithë,
Ç’na ka ndodhur, o Perëndi
Pse nuk arrij as të klith!?
Kush na ka shkulur si një rrënjë
E na ka bërë kufoma?
Të pavarrosur pse na lënë?
Pse na shoqëron fadroma?
Oh, e gjallë mes të vdekurish jam
Dhe nuk di nga t’ia mbaj!
Ah, im bir, Gramozi, qenka gjallë
A ta gëzohem, a të qajë?
Ja, e mora në prehër, nga tmerri
Mezi e njoh, i tëri i gjakosur.
Si ta nxjerrë jashtë këtij ferri
Jashtë kësaj makine të xhindosur.
Ndihmona, të lutem, o Zot,
Tashmë vetëm Ty të kemi,
Kërcyem si me flatra, jemi në tokë
Dhe gjallë të dytë jemi.
Zbritëm nga makina e ferrit
Ecim përpara, pa e ditur se për ku.
Do të jetojmë si dëshmi e tmerrit
Më pak për veten, më shumë për ju.
* Qytetare nga Suhareka. E mbijetuar nga masakra e Suharekës e marsit 1999, ku u vranë
pesëdhjetë civilë shqiptarë, shumica gra e fëmijë. Bashkë me të birin Gramozin dhe kunatën, Shyhreten, kërcyen nga kamioni, që po bartte pesëdhjetë kufomat e asaj masakre drejt Serbisë, ku autoritetet serbe i patën fshehur kufomat.
PLISI I SADIK SHERIFIT *
U err, ra nata si një zog i vramë.
Më nuk po ndiej asnjë klithje,
Nuk po ndihet asnjë ofshamë
Nuk po ndihet asnjë thirrje.
Heshtja ka rënë si një meteor
Që lë pas mister e ftohtësi,
S’po mund të lëvizë as këmbë as dorë
E ndjej që trupi më është ngri.
Nga këmba po më rrjedh gjak
Ngadalë, por pa shkëputje,
Dy të panjohur ma lidhën pak
Me dy toja dhe ikën tutje. **
Gjaku po ntrashet e po ftohet,
Si peshkve po nxihet.
Shikimi ngapak po më errësohet,
Ndërsa balli po më digjet.
Shikoj retë si lodrojnë,
Të murrme e të dendura si shkëmb
Hënën me zemërim po e mbulojnë
As të na shikojë s’po e lënë.
Por ja hëna u shfaq krejt pak,
Disa çaste mes resh tërë dritë,
Gjithandej pa vetëm gjak
Dhe burra që kishin dhënë shpirt.
Kur na bënë grumbull, na thanë
Hiqni plisat nga koka,
Nënat shqiptare na i shan
Me sharje që s’i përpin toka. ***
Pastaj na qëlluan me breshëri
Aq sa u err vetë mesdita,
Si kam rënë nuk e di
Të jem ende gjallë, nuk e prita.
Gjaku po më rrjedhë pa pushim.
E ndjej derdhjen zemërplasur,
Më thotë turbull një mendim:
Sa shumë gjak paskam pasur!
Po, shumë gjak, shumë, shumë
Gjak shqiptari ndër epoka!
S’jam as i pari as i mbrami unë
Që vdekja më varet si plis te koka.
Asnjë zë nuk ndihet në Izbicë,
Vdekja sogjeton si një bishë sllave.
Lamtumirë Kosovë, lamtumirë Drenicë,
Dua vetëm të prehem në paqe.
*Fshatar nga Broja e Drenicës. Në maskarën e Izbicës, ku forcat militare serbe torturuan dhe masakruan 147 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur, Sadiku mbeti i plagosur. Sipas dëshmitarëve, ai ka mbetur aty dyzet e tetë orë dhe ka vdekur nga hemoragjia e madhe.
** Dy të mbijetuar ia kishin lidhur plagën me dy toja të çorapëve dhe ishin larguar.
***Të mbijetuarit e maskarës së Izbicës kanë dëshmuar se forcat militare serbe, para se t’i ekzekutonin civilët shqiptarë, kanë përdorur edhe terrorin psikologjik ndaj pengjeve, duke ua fyer nënat shqiptare, duke u kërkuar të hiqnin plisat, duke u thënë se po i bënin kurban për Ditën e Bajramit, etj.