Të mërkurën në ambientet e shkollës së mesme parauniversitare New York School Science of Kosova, e cila është shkolla e parë në Kosovë, si e tillë, për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM) u mbajt Ora e Shkrimtarit me Ibrahim Berishën, në kuadër të projektit me shkrimtarë të sotëm të Kosovës, i cili është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në fillim të këtij aktiviteti, poeti Sali Bashota, paraqiti jetëshkrimin e Ibrahim Berishës, duke e dalluar veprimtarinë e tij në shumë fusha, mbi pesë dekada të jetës publike në Kosovë, foli për profilin krijues, intelektual e akademik të Berishës si sociolog, profesor universiteti, shkrimtar, gazetar, poet dhe kritik kulturor.
Në mënyrë të veçantë, Bashota i përmendi veprat më të rëndësishme të Ibrahim Berishës në fushën e eseistikës dhe të komunikimit masiv, siç janë: “Vdekja e kolonisë”, “Mediakultura”, “Utopia reale”, “Konvergjenca intelektuale”, “E drejta e thënies” etj., pastaj veprat në prozë: “Fryma e shiut”, “Të martën mbrëma”, “Sëmundjet e dimirit”, “Origjina e njohjes”, “Gruaja e vetmisë”, “Fisi i mbretërve të humbur”, “Kafazi i frikës”, “Aroma e qiellit”, si dhe veprat me poezi: “Gur që nuk prekësh”, “Hardhia e mureve”, “Sipërfaqja e së dieles”, “Hija e pritjes”, “Fundi është i mundshëm”, “Ofshama e hijes” etj. Në secilën nga këto fusha Ibrahim Berisha dallohet si shkrimtar e publicist, si studiues i fushës së komunikimit dhe si njëri prej intelektualëve më të njohur dhe më të veçantë në letërsinë dhe kulturën shqipe në Kosovë e më gjerë.
Në fjalën e tij para nxënësve, shkrimtari Ibrahim Berisha evokoi kujtime mjaft interesante nga jeta dhe nga përvoja e tij krijuese mbi pesëdhjetëvjeçare, duke përmendur vlime politike e ideologjike në rrethanat e caktuara në Kosovë, ndjenjën e të qenit shkrimtar e intelektual në periudha të ndryshme, guximin dhe kontributin e intelektualëve të Kosovës për ta bërë më të mirën për vendin e tyre etj.
Fokusi i ligjëratës së shkrimtarit Berisha u përqendrua te rëndësia e shkrimit si formë e komunikimit, pastaj te standardet e tij në ndërlidhni me kulturën, arsimimin, traditën, por edhe te hapësira që ndikon në kulturën e komunikimit në përgjithësi.
Duke u ndalur te figura e shkrimtarit, Berisha ndër të tjera tha: “Shkrimtari shkruan kur do të rrëfejë diçka që të tjerët nuk e kanë lexuar apo dëgjuar, madje që u përket atyre dhe jo rrallë ata vetë nuk kanë njohur për këtë. Shkrimtari u shtrohet standardeve të mendimit intelektual. Pra, standardet, të cilat janë të domosdoshme të respektohen që një mendim të jetë cilësor, intelektual dhe kritik lidhur me një problem, çështje apo situatë, krijohen dhe fitohen nga njeriu gjatë, në një proces të ushtrimit të mendimit, të leximit, të meditimit personal. Po kështu, edhe të rishikimit, vlerësimit dhe marrjes së përgjegjësisë për mendimin personal”.
Me theks të veçantë shkrimtari Berisha, u përqendrua te llojet, zhanret dhe përbërësit e tyre në shkrime të ndryshme: shkrimi gazetaresk, publicistik, shkencor, letraro-artistik, pastaj te llojet letrare të shkrimit në poezi, prozë, dramë, ese letrare, duke marrë shembuj të llojeve letrare-shkencore: biografia, autobiografia, kujtimet, ditari, udhëpërshkrimet, eseja, reportazhi etj.
Duke e ndërlidhur me thellësinë dhe gjerësinë e mendimit, me logjikën, kontradiktat, procesin e mendimit, Berisha përmendi edhe shembuj të shumtë në relacionin publiku-lexuesi, por në këtë rast foli edhe për detyrat, imponimin dhe kënaqësinë e leximit.
Në vazhdim të ligjëratës së tij e cila ishte e mbushur me plot kujtime interesante nga fëmijëria dhe rinia e tij, Ibrahim Berisha, shpalosi përvojën e tij personale, duke filluar nga leximi i veprave të para, pastaj kujtimet për babain dhe për bibliotekën familjare, përmendi shumë ngjarje reale të asaj kohe deri te synimi i tij që si fëmijë ëndërronte për t’u bërë regjisor.
Në fund të Orës së tij, Berisha i dalloi disa nga tregimet e tij, duke treguar për frymëzimin, tematikën dhe motivet e tyre dhe veçanërisht për procesin krijues, siç janë tregimet: “Stacioni i autobusit“, “Familja senduiç“ dhe “Vrasësi i qenve“. Për tregimin e fundit, tregoi ngjarjen reale.
Interesimi i nxënësve për ligjëratën e Ibrahim Berishës ishte mjaft i madh, me ç’rast shkrimtarit iu bënë shumë pyetje lidhur me krijimtarinë e tij letrare, por edhe për procese të ndryshme që ndërlidhen me artin, letërsinë, gazetarinë, shkencën, teknologjinë etj., por edhe për perspektivën e krijuesve të rinj në Kosovë./ KultPlus.com