Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” të Gjilanit u mbajt “Ora e Shkrimtarit” me Aziz Mustafën

Të martën, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt Ora e Shkrimtarit me poetin Aziz Mustafa.

I moderuar nga poeti dhe studiuesi i letërsisë, Sali Bashota, edhe ky takim letrar, sikurse edhe të tjerët që u organizuan deri më tani me shkrimtarë, në kuadër të projektit të PEN Qendrës së Kosovës, u përqendrua në temën kryesore që ka të bëjë me procesin krijues, në fakt, se si shkrimtarët i shkruajnë veprat e tyre letrare, pastaj cilat ide, motive, tema i zgjedhin dhe i trajtojnë në veprat e tyre në poezi, prozë, dramaturgji etj.

Në praninë e studentëve, mësimdhënësve të këtij universiteti dhe të pjesëmarrësve të tjerë, poeti Aziz Mustafa, shpalosi kujtime të shumta dhe të ndryshme që ndërlidhen me procesin e frymëzimit, me procesin krijues të poezive të tij, si dhe me përvojën e tij të deritanishme në fushën e krijimtarisë, duke e përfshirë edhe tregimin dhe romanin.

Duke folur për temat dhe dilemat e krijimit, në fillim të fjalës së tij, Aziz Mustafa, tha: “Nganjëherë më krijohet një përshtypje e gabuar që kemi më shumë shkrimtarë se lexues. Në një mënyrë apo tjetër, secili ka një rrëfim për të treguar. Varet mandej nga talenti i lindur, e pastaj nga ajo sa lexon dhe sa punon për të arritur që atë që ka brenda mendjes e ta shpërfaqë për ta bërë të lexueshme, të kuptueshme. Ta bësh të tillë që njeriu të përjetojë kënaqësinë hyjnore, kënaqësinë e mendjes, mrekullinë e leximit dhe përjetimit të shkrimit artistik”.

Në fjalën e tij, Aziz Mustafa, ndër të tjera, tha: ”shkruaj sepse duke shkruar zbuloj botë të reja, krijoj karaktere, personazhe që u jap frymën time, ju jap fjalën time, ashtu sikur Krijuesi që na ka dhënë mendjen dhe në librat e tij na ka mësuar të bëjmë mirë, të duam njëri-tjetrin, të ndihmojmë, të luftojmë të keqen”.

Në vazhdim të fjalës së tij, Aziz Mustafa, përmendi shumë ngjarje që nga fillimet e tij krijuese e deri më sot, kryesisht ngjarje dhe përjetime të veçanta të ndërlidhura me leximin dhe shkrimin, duke thënë se “shumë profesione të tjera që na bëjnë më të lehtë jetën kanë rëndësinë e vet, por shkrimi i poezisë, romanit, krijimi e veprave të mirëfillta letrare është veprimtaria më fisnike. Dhuntinë e të shkruarit nuk e kanë të gjithë. As atë të leximit. Jemi dëshmitarë sa analfabetë dhe sa dislektikë na rrethojnë. Hyni në rrjetet sociale dhe lexoni komentet. Prandaj, ata që kanë dhuntinë e shkrimit, të krijimtarisë artistike letrare, e kanë për borxh të shkruajnë, të mundohen, të provojnë, të vdesin duke provuar”.

Në fund të takimit u zhvillua një bashkëbisedim midis poetit dhe pjesëmarrësve për tema të ndryshme letërsisë shqipe, por edhe për rëndësinë e kulturës së leximit, sidomos të gjeneratave të reja.

Projekti është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com 

Aktivitetet e fundit

Aktivitete të tjera