PROJEKTI ORA E SHKRIMTARIT (2)
Po kështu, edhe projekti, “Ora e Shkrimtarit (2)”, është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Aktivitetet janë mbajtur në Kultplus, nga 26 tetor 2021 deri më 16 nëntor 2021.
“Ora e shkrimtarit 2”, është rezultat i aktiviteteve letrare dhe kulturore, të cilat u organizuan nga PEN Qendra e Kosovës, me qëllim të përkujtimit të vlerave krijuese të autorëve të njohur të letërsisë shqipe, si dhe prezantimit të po këtyre vlerave letrare, estetike, kritike, etj., për lexuesit e sotëm.
Krijimtaria e shkrimtarëve, siç janë: Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Ramiz Kelmendi, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani është trajtuar dhe vlerësuar nga kritikë dhe studiues të letërsisë shqipe.
Kumtesat e studiuesve dhe punimet e zgjedhura të shkrimtarëve janë botuar në librin “Ora e Shkrimtarit (2)”.
Ora e Shkrimtarit: Latif Berisha
Më 26 tetor 2021 është mbajtur aktiviteti i parë, në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2”, organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, ku u përkujtua poeti, profesori dhe veprimtari, Latif Berisha (1931-1999).
Për jetën dhe veprën e Latif Berishës, folën Ibrahim Berisha dhe Sali Bashota.
“Ai ngreh kokën e fjalës së shtypur në një qiell të dendur. Në fotot e tij, edhe në tekste shkollore që do të përfshihet nga vitet 1960, madje edhe shumë vite më vonë, shquhet fotoja me ngjyrën e zezë, sikur ky njeri të kishte jetuar në kohë të lashta. Por nga fotografia kuptohet sa butësia, po kaq edhe rezgnimi i tij. Ai sikur jeton me njërën dorë në degën e optimizmit dhe me tjetrën, në degën e pesimizmit. Çfarë thonë 30 vjersha për lexuesin e paktë, për shkak të anlafabetizmit masiv, për të parë si mendon dhe komunikon estetikisht shkrimtari i ri thuajse, nga modestia, ireal. Një libër që botohet në Prishtinë nga një i ri që vinte nga një familje pa traditën revolucionare të zakonshme të shumicës së shkrimtarëve të kohës, dhe nga një ambient tradicional rural, por ai i arsimuar maksimalisht për moshën dhe ambientin.”, vlerësoi Berisha.
Më pas ai analizoi përmbledhjen poetike të Latif Berishës “Tufa” të cilën e quajti dhënëse mesazhi për ekzistimin edhe të një bote tjetër më reale nga ajo në të cilën jetonte poeti i ndjerë.
Fjalën në përkujtimin e Latif Berishës, Ibrahim Berisha e përmbylli me një maksimë të Horacit. “Është e ëmbël dhe e nderuar të vdesësh për atdheun. Është ende më e ëmbël të jetosh për të. Profesor Latif Berisha edhe jetoi edhe vdiq për atdheun. Domethënë vazhdon të jetojë përherë në të”.
Për Latif Berishën foli edhe profesori e studiuesi, Sali Bashota.
“Latif Berisha ishte njeri i letrave. Trazimet dhe shqetësimet e hershme shpirtërore, fillimisht i manifestoi përmes poezisë, kur më 1957 e botoi edhe vëllimin “Tufa”. Gjatë jetës së tij nuk botoi me libra me poezi. Veprimtarinë e tij e funksionalizoi me studimin letrar duke shkruar për autorët e traditës poetike shqipe: Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Hil Mosi, Ali Asllani etj., ndërsa projektet e tij shkencore të pambaruara mbeten epoka e Skënderbeut në letërsinë e Rilindjes, si dhe krijimtaria letrare e arbëreshëve.” – tha Bashota i cili vrasjen e tij në vitin 1999 nga serbët e cilësoi si humbje të madhe për tërë kombin shqiptar.
Shkrimtari Milazim Krasniqi, e përkujtoi Latif Berishën si profesor, e më pas edhe bashkëpunëtor.
“Unë kam qenë student i Latif Berishës. Ai ka qenë një profesor komplet, në kuptimin më të mirë të fjalës. Për shumë vite kemi bashkëpunuar me të dhe me Ibrahim Rugovën në LDK. Unë për disa vite kam qenë i angazhuar bashkë me Fatmir Sejdiun të punoj në degët e Skënderajit, Mitrovicës, Vushtrrisë dhe të Leposaviqit, ku ai ka qenë kryetar i degës. Dhe ne kemi pasur situatën më komode në Mitrovicë sepse ai ka qenë një njeri që e ka ruajtur unitetin, e ka ruajtur fuqinë e veprimit. Dega e LDK-së në Mitrovicë, në mesin e shumë gjërave të tjera, ka furnizuar edhe UÇK-në me ushqime dhe me furnizime të tjera që kanë pasë nevojë. Profesori Berisha ka qenë ideatori dhe njeriu kryesor që është marrë me organizime të kësaj natyre. Vrasja e tij më 24 mars dhe e Agim Hajrizit e ka një simbolikë për ndarjen e Mitrovicës sepse këta të dy kanë qenë liderë shumë të rëndësishëm të Mitrovicës, pa të cilët nuk do të mund të shpërbëhej kompaktësia e Mitrovicës.” – tha profesor Krasniqi.
Foli edhe vajza e profesor Latifit, Fatmire Berisha, e cila rrëfeu momente nga jeta e shkrimtarit, si dhe lidhjen e veçantë që ajo kishte me babanë e saj.
“Ora e Shkrimtarit, sikur më lidhi për një moment me një orë që e kemi ndoshta atë kemi të vetmen gjë që na ka mbetur prej Latifit, dhe më vjen mirë që dëgjova shumëçka që edhe unë si vajzë e tij në faza të ndryshme të jetës së tij dhe times i kam jetuar bashkë me të. Ndoshta kjo është pak personale, por unë fillimisht kam qenë studente e fakultetit të mjekësisë, mirëpo ajo lidhja e veçantë që e kam pasë me të më ka bërë të riorientohem dhe të kthehem nga letërsia. Pa modesti e them që gjithmonë e kam pyetur veten se a jam e vetëdijshme se çfarë njeriu kam afër vetes se vërtet qëndron ajo që e tha profesor Bashota, se ai ka qenë një njeri shumë i veçantë. “-rrëfen ajo.
Ajo ndan me të pranishmit edhe një rrëfim të përpjekjeve që ajo dhe profesori Berisha bënë për të fshehur dorëshkrimet e tij, që të mos digjeshin nga forcat serbe, e për të cilat dorëshkrime, vajza e tij Fatmirja thotë se i ka mbetur peng që nuk kanë mundur t’i shpëtojnë.
“Ka qenë dy ditë para fillimit të bombardimeve, provuam unë bashkë me të dhe e hapëm një gropë, shtëpia jonë qëndron ende, në lagjen më problematike të qytetit të Mitrovicës, aty ku kemi jetuar më tepër se 40 vite dhe provuam që t’i shmangim ato dorëshkrimet e tij dhe dolëm bashkë në oborr e hapëm një gropë të madhe në oborr dhe aty filluam t’i strehojmë, mirëpo ai e ka ditur shumë saktë çfarë do të ndodhë, e hapëm gropën, por shtëpia jonë ka qenë në mesin e fqinjve serb, e në mometin e fundit ai tha t’i lëmë aty ku janë, sepse po t’i vendosim këtu është si t’i vëmë në gojën e ujkut. “– thotë vajza e Latif Berishës e cila për fund thotë se më së shumti mërzitet që serbët i kanë djegur dorëshkrimet dhe bibliotekën e tij, duke mos u mbetur asgjë si kujtim.
Ora e Shkrimtarit: Enver Gjerqeku
Më 19 tetor 2021, PEN Qendra e Kosovës përkujtoi krijimtarinë letrare dhe jetën e poetit sonetist të ndjerë Enver Gjerqeku (1928-2008).
Moderatori Ibrahim Kadriu, theksoi “Enveri i takon një gjenerate të hershme, një brezi të pas Luftës së Dytë Botërore.
Për aspektet e poezisë së Gjerqekut me tërësinë e vlerave të veprës letrare të autorit, foli shkrimtari Milazim Krasniqi.
“Gjerqeku mbetet i ngjizur edhe me përjetimin e hershëm, i cili kthehet si reminishencë, ngase poezia e tij ka qenë pjesë e arsenalit letrar në librat shkollorë dhe në manifestimet publike shkollore, me të cilat breza të tërë jemi edukuar nga fusha e artit poetik, po të prezantuar edhe si ideologji. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se poezia e tij ka ushtruar një ndikim të dukshëm në edukimin letrar e jashtë letrar të njeriut shqiptar në Kosovë për decenie të tëra, ndoshta dhe më shumë nga ç’janë vlerat reale të vetë kësaj poezie. Në larminë e kontakteve të reja me këtë poezi, nuk mund të shmanget as përjetimi i një aspekti të saj tematik e ideor, i cili ka qenë si produkt i realitetit social e politik të kohës”, tha Krasniqi.
Sipas Krasniqit, poezia e Enver Gjerqekut, që nga vëllimi i parë, “Gjurmat e jetës”, e deri te “Flatrimi i fjalës”, dhe poezitë e botuara pas tij, identifikohet me një strukturë vargu stabil dhe me një leksik që krijon legjitimimin autorial. Po të shihen vargjet nga vëllimi i parë, dhe të krahasohen me vargjet e tjera deri te vëllimi i fundit, është e qartë se ekziston një formë e përafërt e vargëzimit dhe madje edhe në planin leksikor është ruajtur afiniteti për një fond të caktuar, i cili poetit i jep mundësinë që të shpalos më mirë idetë e veta poetike.
Profesori i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota, foli rreth krijimtarisë poetike të Gjerqekut, duke e cilësuar poetin si autorin më reprezantiv të sonetit në poezinë e sotme shqipe.
“Vepra e Enver Gjerqekut është e pranishme afër gjysmëshekulli në letërsinë shqipe. Poet i cili shquhet me ndjeshmërinë e veçantë poetike, me lirizmin, tematikën dhe motivet e poezisë së tij, Gjerqeku ka arritur të ruajë natyrën dhe vokacionin e verbit të tij poetik, që nga fillimet krijuese e deri më sot. Poezia e tij është nxitje frymëzimi nga situatat intime, sociale, historike, kombëtare. Nga temat sociale, kalon fuqishëm te preokupimet intime, ndërsa nga historia te aktualiteti. Në fillimet e tij krijuese, esenciale qe përmbajtja e poezisë, pra vetë tema”, thotë Bashota.
“Poeti Enver Gjerqeku i kërkon dhe i gjen zgjidhjet simbolike të poezisë së tij. Pikërisht, që nga titujt e librave të tij poetikë funksionalizohet domethënia e tekstit lirik. Po ashtu, në poezinë e Enver Gjerqekut sublimohen tema dhe motive që e kapërthurin një realitet të formësuar në relacione historike dhe aktuale. Përbrenda laboratorit të tij krijues frymon historia, identiteti, e sotmja. Dhe pikërisht poezia-përkushtim bëhet model i kërkimit, i konceptimit dhe i realizimit krijues. Poezia e këtij autori e ka ndërtuar një kod ligjërimor sa i përket formave poetike sonetike. Ky kod ligjërimor rezulton deri tek konstatimi se Gjerqeku është autori më reprezantiv i sonetit në poezinë e sotme shqipe”, përfundoi Bashota.
Ora e Shkrimtarit: Azem Shkreli
Më 2 nëntor 2021, u përkujtua figura e poetit e romansierit shqiptar, Azem Shkreli (1938-1997). Përkujtimi u bë në kuadër të aktiviteteve letrare nga PEN Qendra e Kosovës përmes projektit “Ora e Shkrimtarit 2”.
Për jetën dhe veprën e Shkrelit, folën Avni Spahiu, Naime Beqiraj dhe Ibrahim Berisha.
Për Shkrelin, moderatori Ibrahim Berisha tha se ky poet shqiptarëve u dhuron nderin e krenarinë.
“Zgjedhja e Azemit si një nga personalitetet më të njohura të letërsisë shqipe dhe më të angazhuar në proceset kulturore dhe artistike në Kosovë, na nderon dhe na obligon që përherë të kemi në vëmendje Azemin. Ai gjithmonë ka lënë shenja të dallueshme në krijimtarinë e tij e veçmas edhe në kulturën e filmit”, tha Berisha.
“Adhuruesit e Azem Shkrelit, në gjurmimin e kujtimeve për të, patjetër do ta kujtojnë si një poet që kërkonte lirinë e popullit të vet, rebelueshëm në jetë dhe në letërsi. E kam njohur Azem Shkrelin për shumë vite dhe në dekadën e nëntëdhjetë të shekullit njëzet kemi kaluar momente të shumta së bashku të rënduar me ndjenjën e persekutimit dhe të pasigurisë të kohës së dramës së madhe të Kosovës. Azem Shkreli shprehte poezinë e tij të angazhuar dhe thellësisht personale që zinte fill që nga fëmijëria e tij e hershme dhe vetmitare”, tha Avni Spahiu.
Sipas tij, poezitë e tij të fundit dukeshin shumë profetike, parë në dritën e perspektivës nga e sotmja, poezitë që lartësonin Kosovën, ankthin e poetit kundruall atdheut të shkelur, ndërkohë që Shkreli vetë i ngjante një metafore të tokës, gjithnjë më fytyrëzbehur, gjithnjë më i goditur nga koha, gjithnjë më i ligështuar fizikisht, me skeptik dhe më i dëshpëruar, derisa kur arriti në aeroport dhe shkeli në tokën e Kosovës nuk qëndroi më dot dhe përftoi.
Për Spahiun, vdekja e intelektualit, nuk kuptohej më vetëm si përmbyllje e qenësisë së tij të natyrshme, por si një pasojë, si një perëndim alegorik viktimizues i rrethanave që përshpejtonin tragjiken e tundimit të padurueshëm.
Poetja Naime Beqiraj poezinë e Shkrelit e cilësoi si një liri pa hijezime.
“Azemi u takon autorëve të rrallë që e stërholloi fjalën deri në finesa të imta pa kaluar në rregullat e ngurta e të rrepta të ligjërimit libror e lakonik të cilat poezinë dinë ta bëjnë edhe të pashpirt. Ai mbetet ekzemplar i poetit që e thelloi urtinë e mendimit, në gjuhë të zgjedhur. E heshtura e tij, nuk mbërthehet as zbërthehet”, thotë Beqiraj.
“Mendim i tërhequr me pak fjalë e thellësi, ai ndërton skele të fuqishme të fjalës që e mbajnë në tokë dhe e mbajnë pezull një shkëmb të tërë. Poezia e tij ka ndjesi, ka edhe spontanitet. Te Azemi, shpërthimet emocionale janë të rralla, të thella; të zbërthyera e të strukturuara poetikisht me gjuhë që ngrihet nga libri në libër. Shqipja e sofistikuar në verbin poetik të Shkrelit, është metaforike, metaforike foljore”, përfundoi ajo.
Shkrimtari, Daut Demaku, vargjet poetike të Shkrelit i quajti magjike dhe kapluese të shpirtit njerëzor, të cilat me magjinë e tyre e kaplojnë shpirtin.
“Është interesante dhe e çuditshme se si një Kosovë nuk di ta lexojë magjinë e mençurisë së një shkrimtari. Azem Shkreli ka qenë një njeri që oqeanin e ka bërë pikë vese, studiuesit e tij pikën e vesës mund ta bëjnë oqean të fjalëve”,- tha Demaku.
Ora e Shkrimtarit: Din Mehmeti
Më 5 nëntor 2021 në kuadër të “Ora e Shkrimtarit 2”, organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, u përkujtua jeta dhe vepra e poetit Din Mehmeti (1932-2010).
Moderatori Binak Kelmendi e cilësoi Din Mehmetin si një poet i figurave, i simboleve dhe të ndikuar nga poezia popullore.
Për krijimtarinë letrare të Din Mehmetit pastaj foli profesoresha e letërsisë, Dije Demiri Frangu.
“Kur sot e rilexojmë poezinë e këtij autori, ne nga distanca kohore e krijimit dhe nga distanca jo e vogël kohore me situatat shoqërore politike të kohës, si receptues e risemantizojmë në kuptimin e një nevoje autoriale për t’ u bërë dëshmi e një tmerri robërues. Kur u krijua kjo poezi, shumë krijues si Dini, pozicionohesh në rolin e një ligjëruesi mbi lirinë e cila mungonte. Natyrisht, kjo reduktonte në masë sensin estetik dhe polivalent të poezisë, por mbushte ëndrrën për liri, e vizualizonte atdheun brenda lirisë”.
Ndërkaq, profesori, Haqif Mulliqi në këtë mbrëmje kushtuar Din Mehmetit ka përzgjedhr të flasë për dramën “Agu”.
Drama “Agu” nuk bënë pjesë në krijimtaritë më të mira të Din Mehmetit. Mehmeti, i shquar në poezi bënë pjesë në grupin e atyre krijuesve që u tundua edhe në të shkruarit e dramës. E shkroi “Agun” dhe aty ndaloi. Për këtë mund të ekzistojnë më shumë arsye, paçka se, ajo që dihet është se Mehmeti jetoi një jetë mjaft intensive me Teatrin e Gjakovës.” – thotë Mulliqi, duke thënë se dallimi mes poezisë dhe dramës për Mehmetin ishte një hendek i gjerë, e mbase i pafund.
Ora e Shkrimtarit: Ramiz Kelmendi
PEN Qendra e Kosovës, më 9 nëntor 2021, përkujtoi jetën dhe veprën e shkrimtarit Ramiz Kelmendi (1930-2017).
Studiuesi Haqif Mulliqi, foli për jetën e shkrimtarit, e më pas duke ndarë edhe ndodhi nga kujtesa e tij me të.
“Ramiz Kelmendi ka qenë një satirist, një tregimtar. Ka shkruar radiodrama, është shquar si bashkëskenarist i filmit “Gjurmë të bardha” me Ekrem Kryeziun. Ka shkruar romane, si dhe ka profesor i Universitetit. Pra, njihet si një personalitet kompleks. Ai ishte edhe një përkthyes i jashtëzakonshëm, i pasionuar me emrat më të shquar të letërsisë botërore”, thotë Mulliqi.
Gjithashtu, i pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për botimin e Kelmendit, të titulluar “Nga ditari im”, ishte edhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.
“Emri i Ramiz Kelmendit me dekada ka gjetur hapësirë në të gjitha gazetat dhe revistat tona dhe në raftet e bibliotekave me aq shumë libra origjinalë dhe përkthime. Ai paraqet një individualitet të veçantë si krijues e pedagog, duke dëshmuar individualitetin me kreativitet dhe angazhime organizative në krye të edicionit botues të “Rilindjes”, në teatër dhe së fundi si themelues i shkollës së gazetarisë nga e cila kanë dalë kuadro që u bënë kontribuues të mjeteve të informimit. Kur përmend edicionin botues, më kujtohen vitet e fundit të gjashtëdhjetave kur, falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Ramiz Kelmendit, u pasuruan bibliotekat tona me botimet e Tiranës, pikërisht në kohën kur ende merrte frymë politika e etiketimit të botimeve të Shqipërisë”, thotë Kadriu.
Sipas tij, libri “Nga ditari im” si i tillë ka vlerë të shumëfishtë, meqë ngërthehet përmes rrëfimeve të “huazuara” në periudhën kohore prej dekadave, rrëfime që janë të pasuruar me referenca, por edhe me nuanca të asaj përditshmërie që na ndihmojnë ta kuptojmë atë realitet të hidhur përmes së cilit, autorit, i është dashur të kapërcejë gjithnjë me frikën e të ndjekurit.
Binak Kelmendi foli rreth publicistikës së shkrimtari Ramiz Kelmendi, duke e cilësuar atë si rilindës i edicionit, rilindës i publicistikës dhe rilindës i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ramiz Kelmendi ka qenë rilindas i “Rilindjes”. Rilindas i edicionit. Rilindas i publicistikës. Dhe Rilindas i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Them se ka qenë rilindas i “Rilindjes” pasi që dy periudha të jetës së vet ia kushtoi kësaj gazete. Fillimin e parë në këtë gazetë e nisi në vitin e largët 1947. Këtë e pohon ai vetë, Ramizi, kur thotë se: unë gazetar jam vetëm dy vjet më i ri se “Rilindja”; kjo lindi më 12 shkurt 1945, e unë botova shkrimin tim më të parë në këtë gazetë – dy vjet më vonë”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, “Letra prej Ulqini” është një korrespondencë e sajuar e gazetarit Ramiz me dy rezidentë të Ulqinit (Muho Ficigi- Muharrem Fici dhe Hajro Doçiqit-Hajrudin Doçit) njohës shumë të mirë të situatës politike dhe të gjendjes së përgjithshme shoqërore të shqiptarëve në Kosovë e në Mal të Zi.
Për Kelmendin, vepra tjetër “Fytyra dhe turinj” është një përmbledhje polemikash e rilindasit publicist ku Kelmendi, duke u marrë me historikun e polemikës në letrat shqipe, ka përzgjedhur dhe ka analizuar polemika autorësh të njohur shqiptarë që nga mesjeta dhe deri në vitet e 70-ta të shekullit të shkuar.
Shkrimtari, Daut Demaku, foli për gjuhën unike të shkrimtarit Kelmendi dhe magjinë e tij të të shkruarit.
Ora e Shkrimtarit: Rrahman Dedaj
Jeta dhe vepra e shkrimtarit Rrahman Dedaj (1939-2005) u përkujtua në mbrëmjen “Ora e Shkrimtarit 2”, më 12 nëntor 2021 nga PEN qendra e Kosovës.
Në panelin e kësaj mbrëmjeje folën profesori i letërsisë, Anton Berishaj dhe shkrimtari Adil Olluri.
Moderatori i mbrëmjes, profesori Sali Bashota e cilësoi shkrimtarin Dedaj si një ndër poetët më të rëndësishëm të shekullit XX dhe të fillimeve të shekullit XXI.
“Jemi mbledhur këtu për të përkujtuar jetën dhe veprën e Rrahman Dedaj, njërit ndër poetët më të rëndësishëm të poezisë shqipe të shekullit të XX-të, por edhe të fillimeve të shekullit XXI-të. Një poet që ka sjellë risi në poezinë bashkëkohore shqipe.”- thotë Bashota.
“Simboli është figura e tij dominonte në krijimtarinë e Rrahman Dedaj, duke filluar me veprën “Simfonia e fjalës”, “Etje”, “Jeta gabon” dhe kulmuar me veprën e tij botuar në vitet 80-ta, “Gjërat që s’preken”, që bashkë me “Lum Lumin” e Ali Podrimjes, konsiderohen ndër veprat më të mira të poezisë bashkëkohore shqipe”- shton tutje Bashota, duke folur për krijimtarinë letrare të Rrahman Dedajt.
Profesori Anton Berishaj foli për kodin simbolik në poezinë e Rrahman Dedajt.
“Për poezinë e Rrahman Dedajt është shkruar mjaft. Dhe gati të gjithë ata që janë marrë me studimin e kësaj poezie e kanë trajtuar edhe sistemin poetik të saj, parimet e strukturimit dhe të funksionalizimit të tij brenda tekstit poetik. Ne këtë aspekt janë arritur rezultate të pakontestueshme. Ne do të përpiqemi që, duke u mbështetur në rezultatet e arritura, t’i shtojmë disa elemente të reja që do ta përplotësonin ndriçimin e kësaj problematike.”- thotë profesori Berishaj.
Ai, duke folur për poezinë e Dedajt, vlerëson se ndonëse ai është një poet që nuk shquhet për kthesa të dukshme në rrugën e tij krijuese, poezia e tij ka pësuar, megjithatë, një evolucion të rëndësishëm si në planin tematik, ashtu edhe në planin e stilit dhe te strukturës figurative.
Shkrimtari Adil Olluri e konsideron shkrimtarin Dedaj si një ndër poetët më ikonikë të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit njëzet dhe një nga zërat më përfaqësuses të poezisë shqipe të shkruar dhe botuar në Kosovë gjatë kësaj periudhe.
“Poezia e Rrahman Dedajt që nga përmbledhja e tij e parë, e botuar në vitin 1962, dhe deri në përmbledhjen e fundit, të botuar ne vitin 2006, një vit pas vdekjes se tij, është kryekëput ligjërim i një krijuesi mendimtar, që shumë vëzhgon, sodit dhe shpreh mendime për çështje e dukuri, se sa që shpreh ndjesi për to. Ai qëllim parësor e kishte mendimin sa muzikalitetin e vargut dhe përjetueshmërinë e gjërave. Kjo e bën poezinë e Dedajt të marrë ngjyrë filozofike dhe medituese, madje edhe konceptuale. Më tutje, Olluri konstatoi se; “interpretimi më i mundshëm dhe më i arrirë i poezisë së tij mund të bëhet nëse i zberthejmë ngadalshëm idetë dhe konceptimet e poetit, se sa nëse bëjmë lexim stilistik dhe analizë të formës poetike”.
Për fund, Olluri thotë se Rrahman Dedaj është një nga krijuesit shqiptarë që i shkroi vargjet thuajse më të bukura për artin e fjalës së bukur poetike.
Ora e Shkrimtarit: Musa Ramadani
Më 16 nëntor 2021 u mbyll projekti i PEN Qendrës së Kosovë “Ora e Shkrimtarit 2”.
Në mbyllje të këtyre aktiviteteteve, gjatë të cilave u përkujtuan shtatë shkrimtarë të ndjerë, u përkujtua vepra letrare e Musa Ramadanit (1944-2020).
Mbrëmjen e hapi moderatori Ibrahim Berisha, i cili Ramadanin e konsideron shkrimtar që ishte i përkushtuar vazhdimisht në fushën e kulturës. Ai identifikohej me përzgjedhjen e vazhdueshme të teatrit e ishte i spikatur për lidhjet e tij me atë se çfarë ka ndodhur me fushën e dramës. Ndërkohë, poezia e proza cilësohen si fokuset kryesore të krijimtarisë së Ramadanit.
“Me cigaren në dorën e majtë e kapelën që e mbante çdo herë, përherë me një libër në dorë, Ramadani ishte i vetmuar, por shumë miqësor, i dashur vazhdimisht, krenar dhe gjithmonë i gatshëm të bisedojë për letërsi e çështje kulturore”, kujtoi Berisha para se t’iu ipte fjalën dy studiuesve të letërsisë shqipe.
Pastaj, duke e cilësuar Musa Ramadanin si “Avangardisti i Kosovës”, shkrimtari Agron Gashi e lartëson figurën e autorit i cili për të duket se ka sjellur një frymë të re në të gjitha zhanret letrare.
“Musa Ramadani, aristokrat në jetë e në letra, rreth pesë dekada më parë solli një frymë të re në të gjitha zhanret letrare: poezi, prozë, dramë, kritikë teatri dhe gazetari. Ai përherë ishte dhe mbeti konsistent në veprime e brilant në shkrime. Musa Ramadani jetën e bëri art, dashurinë, dhimbjen-letërsi. Dhe s’kishte se si të ishte ndryshe: Mik i Pashkut e i Teki Dërvishit, i Beqir Musliut dhe i Jusuf Gërvallës, i Bekim Fehmiut, i Rugovës, dhe i shumë të tjerëve, që janë në amshim, por edhe në mesin tonë, e që ngushëllohen me librin e tij të gjallë. Musa Ramadani ishte sharmi dhe eleganca e këtij brezi. Ndaj, jeta dhe vepra e tij është një simbioze identitetesh e personalitetesh letrare, për të qenë vetë krejt unik, në kulturë e komunikim, kërkues dhe eksperimentues i madh, përgjithmonë i hapur ndaj frymës letrare evropiane”, thotë A. Gashi.
Sipas tij, Musa Ramadani ka lënë një bibliografi të pasur që kap mbi gjysmë shekulli krijimtari letrare, nga viti 1969 e deri më sot. Fitues i shumë çmimeve, vepra e Musa Ramadanit është cilësuar si e gjerë dhe e shumanshme, në prozë, poezi, pikturë, kritikë teatri, muzikë dhe gazetari.
Më tutje për prozën e shkurtër të Musa Ramadanit, foli profesori i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Osman Gashi.
“Musa Ramadani është pa dyshim një nga krijuesit më të veçantë të letërsisë bashkëkohore shqipe të këtij krahu, një nga shkrimtarët më produktivë – romancier, dramaturg, poet, tregimtar, kritik teatri, publicist e përkthyes. Është i veçantë për shkak të vëllimit të veprave letrare, por para së gjithash, për shkak të risive që ka sjellë në të gjitha veprat e tij e që përgjithësisht janë në linjë me zhvillimet në letërsinë evropiane e më gjerë. Në fushë të poezisë, përveç tjerash ai e çon deri në skajshmëri tipin e poezisë asociative, eliptike si dhe fut ndër të parët të ashtuquajturën poezi vokovizuale e kaligramin. Në prozë shquhet për asimilimin e teknikave moderne e postmoderne të shkrimit, monologun e brendshëm, kodimin e dyfishtë, asociacionin e introspeksionin, pastishin etj. Me disa tipare që e karakterizojnë, proza e shkurtër e Ramadanit na e kujton prozën e Borhesit e të Dino Buxatit, duke pasur parasysh elementet eseistike, përzierjen e mitit, historisë e letërsisë, misterin, fantastiken etj.”,- thotë Osman Gashi.
Sipas tij, Musa Ramadani ka qenë përkthyes i çmuar duke pasur parasysh prurjen e veprave të shkrimtarëve të njohur në gjuhën shqipe, si: Per Lagerkuist, Jezhi Andzhejevski, Dino Buxati dhe disa shkrimtarë të Lindjes ndër të cilët duhet veçuar romanin “Legjenda mbi Araratin” të autorit turk Jashar Qemal dhe “Bufi i verbër” të Sadek Hedajat, i cili është quajtur edhe Kafka i Lindjes. Nuk duket të jetë e rastësishme përzgjedhja e veprave nga këto letërsi, madje raporti i tij me Letërsitë e Lindjes shpesh sikur shndërrohet në një preokupim të përhershëm a obsesion.