PROJEKTI ORA E SHKRIMTARIT
Projekti “Ora e Shkrimtarit” është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Aktivitetet janë mbajtur në Kultplus, nga 13 tetor deri më 19 nëntor 2020.
“Ora e Shkrimtarit”, është rezultat i aktiviteteve kulturore, të cilat u organizuan nga PEN Qendra e Kosovës, me qëllim të përkujtimit të vlerave krijuese të autorëve të njohur të letërsisë shqipe, si dhe prezantimit të po këtyre vlerave letrare, estetike, kritike, etj., për lexuesit e sotëm.
Krijimtaria e shkrimtarëve, siç janë: Esad Mekuli, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi, është trajtuar dhe vlerësuar nga kritikë dhe studiues të letërsisë shqipe.
Kumtesat e studiuesve dhe punimet e zgjedhura të shkrimtarëve janë botuar në librin “Ora e Shkrimtarit”.
Ora e Shkrimtarit: Esad Mekuli
Takimi i parë, “Ora e Shkrimtarit”, organizuar nga PEN Qendrës së Kosovës, më 14 tetor 2020 iu kushtua poetit të njohur, Esad Mekuli (1916-1993).
Për jetën e veprën e tij folën Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Sali Bashota dhe Ibrahim Kadriu.
Ibrahim Berisha, pasi përkujtoi shkurtimisht biografinë e Mekulit, tha se ai ka botuar 16 përmbledhje poezish dhe ka përkthyer 80 libra të llojeve dhe zhanreve të ndryshme.
Berisha veçoi një nga shkrimet redaksionale të Esad Mekulit në numrin e parë të gazetës “Rilindja”, në të cilën ai ishte përqendruar në barazinë e gruas dhe të burrit. Sipas Berishës, Mekuli kishte shkruar se “e vetmja perspektivë e shoqërisë tonë është që burri dhe gruaja të ecin bashkë drejt përparimit”, ndërsa që në vitin 1941, Esad Mekuli kishte përshkruar pozitën e vështirë shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, rrëfeu se rileximi poetik i Esad Mekulit e riktheu atë në fëmijërinë e tij të cilat ndonëse të fashitura në kujtesë, kishin sjellë në mendje emocione dhe përjetime të fëmijërisë dhe të mënyrës si propozohej njohja e vlerave dhe e botës brenda një formacioni ideologjik. Ai veçoi poezitë “O vëlla me sharrë në krahë”, “Ramiz o vëlla”, ”Popullit tim” dhe “Shqiptari këndon”.
Ai pohoi se Esad Mekuli ka qenë një mjeshtër për të fiksuar imazhin, për të hetuar natyrën e fshehur të gjendjeve e të gjërave me anën e krahasimeve befasuese.
Për Krasniqin ishte puna këmbëngulëse dhe e guximshme e Esad Mekulit që nuk e zbehu dhe e largoi nga zymtësia letërsinë shqipe në Kosovë përgjatë viteve pesëdhjetë – tetëdhjetë të shekullit të kaluar.
Për profesorin Sali Bashota, Esad Mekuli ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë kombëtare që i ka lënë shenjat autentike mbi të cilat projektohen idetë e shoqërisë drejt një perspektive njerëzore, shoqërore dhe kombëtare. Sipas tij, Esad Mekuli u ka prirë proceseve kulturore përmes të cilave brezat e poetëve kanë mësuar me përkushtim për avancimin e vlerave letrare në Kosovë.
Bashota ka thënë se ishte pikërisht poezia e Esad Mekulit ajo që e ka shqiptuar në mënyrën më të mirë të mundshme ekzistencën e njeriut shqiptar në një periudhë mjaft të vështirë të asaj kohe.
Ai shtoi se veprat poetike të Esad Mekulit janë ato që dëshmojnë përkushtimin e bardit të poezisë shqipe të Kosovës e cila tipizonte fatin e njeriut të këtij vendi përballë shumë të panjohurave që ngriheshin në ekzistencën e tij.
Kujtime për Esad Mekulin evokoi edhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.
Ora e Shkrimtarit: Adem Demaçi
PEN Qendra e Kosovës, më 20 tetor 2020 ka mbajtur takimin letrar për shkrimtarin dhe simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçi (1936-2018).
Për figurën dhe veprën e Demaçit, folën Avni Spahiu dhe Haqif Mulliqi, nën moderimin e Ibrahim Berishës.
Ibrahim Berisha vlerëson se as burgu, as torturat gati 3 dekada me kufizime shtypëse nuk e kishin lëkundur asnjë çast Adem Demaçin nga ideali dhe besimi i tij për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Mirëpo, pavarësisht kësaj, kishte pasur persona të cilët nuk e kishin kuptuar drejt mundin dhe sakrificën e tij.
“Figura, puna, personaliteti, vepra e Demaçit jo gjithmonë është kuptuar drejt. Prizmi dhe shikimi i veprës së tij ështe parë nga dritare shumë të ngushta duke pasur parasysh pozitën personale të atyre që kanë gjykuar dhe jo kohën e rrethanat në të cilat ka vepruar dhe natyrisht ka bërë aq shumë për fitoren të cilën ne e kemi sot”, thotë Berisha.
“Ka marrë çmime, por asnjëherë nuk do të marrë çmimin që e meriton dhe punën që ka bërë në kontekstin e asaj lëvizjeje, ngjalljen e saj në rrethana shumë të vështira të idesë për liri”, u shpreh Ibrahim Berisha.
Avni Spahiu tha për Demaçin: “Simbol i rezistencës shqiptare, personalitet i letrave shqipe, kampion i të drejtave të njeriut në Kosovë, pishtar i kauzës kombëtare shqiptare, Mandela i Kosovës, i burgosuri politik dhe disidenti më i shquar i Europës Juglindore, fitues i Çmimit Ndërkombëtar “Saharov”, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, mbrojtës i fjalës së lirë dhe i lirisë së popullit të vet dhe popujve të tjerë”.
Haqif Mulliqi përkujtoi se Demaçin e kishte pasur redaktor në “Zëri” dhe “Forumi”.
Në kohën sa u mbyllën gazetat “Rilindja” dhe “Zëri” në vitin 1993, Adem Demaçi si revoltë kishte filluar me grevën e tij të urisë. Duke parë reagimin e menjëhershëm të Demaçit dhe si respekt ndaj tij, grevës iu kishin bashkuar edhe Haqif Mulliqi, Milazim Krasniqi dhe Shaip Beqiri. Ndërkaq Mulliqi kujton që Demaçi pati propozuar që greva të quhej “Greva e veprimtarit Adem Demaçi dhe poetit Ali Podrimja”.
Kryetari i PEN Qendrës, Binak Kelmendi tha se “Adem Demaçi është Mandela i Kosovës në kuptimin e vuajtjeve të tij nëpër burgje, por ne nuk e bëmë Ademin, Mandela yni, nuk ia dhamë emrin e tij asnjë institucioni shtetëror, e ai na e la institucionin e vet: “Adem” ose “Demaç”.
Ora e Shkrimtarit: Ibrahim Rugova
Më 23 tetor 2020, në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës u përkujtua veprimtaria studimore, shkencore dhe kombëtare e personalitetit Ibrahim Rugova (1944-2006).
Në panel ishin Lindita Tahiri dhe Avni Spahiu dhe ata shpalosën figurën letrare e politike të Rugovës.
Udhëheqësi i panelit, Binak Kelmendi, tha se Ibrahim Rugovës, letërsia i ka ndihmuar të merret me politikë. “Ai ka vepruar kështu që kur ishte në krye të gazetës “Bota e re”, ku shkruante për plakun me mjekër të bardhë që e kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë”. Sipas Kelmendit, kthesa vendimtare drejt politikës e Rugovës vërehet te libri i tij “Refuzimi estetik”.
Lindita Tahiri, theksoi se Rugova përmes shkrimit synonte lirinë.
“Edhe pse kur flitet për figurën e Rugovës, rëndom flitet për ndikimin e tij në mendimin politik të shqiptarëve, dua të theksoj se ai bëri një ndikim po aq të fuqishëm dhe një orientim vendimtar në zhvillimin e kritikës letrare shqipe”, theksoi Tahiri.
“Rugova e synoi lirinë përmes shkrimit. Si e bëri këtë? Duke u përfshirë përmes çështjeve kombëtare, që kanë qenë dukuri në kulturën tonë, ku shkrimtari tradicionalisht tek ne shfaqet si figurë me rëndësi publike, meqenëse ishte pikërisht liria artistike ajo që pritej t’i rezistojë cenzurës ideologjike dhe ta përmbushë përgjegjësinë morale, kulturore e kombëtare, pra rezistenca estetike”, potencoi tutje Tahiri.
Avni Spahiu shpalosi pikëpamjen subjektive se si ishte Rugova në sytë e tij, se si ai e kishte perceptuar personalitetin e figurën e tij si intelektual në rend të parë, por edhe si lider e të tjera.
“Imazhi i përhershëm i ngulitur në mbamendjen time është ai i Rugovës jo në shtatin e politikanit, të liderit në krye të një lëvizjeje paqësore për pavarësi me përgjegjësi historike për kombin, sa në shtatin e një intelektuali humanist dhe mendimtari jo të zakonshëm që doli nga ky truall me rrënjët e shkëputura të kontinetit duke sjellë ndërmend se rrënjët duhet përtëritur dhe se vendi shqiptar dhe si një ndër popujt më të vjetër të Evropës duhet rikthyer aty ku përket”, u shpreh Spahiu.
Spahiu konsideronte se Ibrahim Rugova është një emër që do të qëndrojë gjatë në mbamendjen kolektive, duke treguar kështu para publikut se sa e rëndësishme kishte qenë për Rugovën që t’i bënte me dije botës, e me theks të veçantë Evropës se sa të rëndësishme e të vjetra ishin rrënjët e popullit shqiptar. Ai tregoi se si Rugova në çdo takim e bisedë me evropianët, vinte në pah lidhjet e lashta të shqiptarëve me qytetërimin evropian.
Ora e Shkrimtarit: Anton Pashku
Anton Pashku (1938-1995), shkrimtari i letërsisë së shekullit njëzet u përkujtua nga PEN Qendra e Kosovës, më 26 tetor 2020.
Moderuesi Binak Kelmendi, tha se “Antoni shquhet për stilin e tij karakteristik, modelin që e kishte vetëm ai për shpërfilljen e normave letrare që atëherë aplikoheshin ose zbatoheshin nga krijues të ndryshëm” dhe përkujtoi se Pashku me një grup tjetër intelektualësh ishte kundër normave letrare të realizmit socialist”.
Profesori Anton Berishaj gjatë fjalimit të tij u fokusua në veprën “Oh” të Pashkut.
“Në romanin “Oh”, Pashku, kultivoi trashëgiminë e dadaizmit dhe surrealizmit, trashëgimi kjo që besohet se ishte vendimtare në poetikën e Pashkut. Tre kategoritë që janë përdorur shumë në poetikë nga Pashku janë loja, ëndërrimi dhe shkrimi automatik si trashëgimi e surealizmit”, tha ndër të tjera Berishaj.
Shkrimtari Adil Olluri tha se ndonëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vjet që prej herës së parë kur kishte lexuar tregimin “Kulla”, për të ky tregim mbetet tregimi më i bukur i prozës së shkurtër shqipe.
“Megjithëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vite nga leximi i parë, ende kam qëndrimin tim se tregimi “Kulla” është një nga krijimet më të bukura të prozës së shkurtër shqipe. Një krijim imagjinativ simbolik që mund të lexohet nga kënde të ndryshme, gjë që e bënë krijim të arrirë”, pohoi Olluri.
Ai ka shtuar se rrëfimi i Anton Pashkut në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ sepse ka si armë të fortë idetë që janë gjëja parësore e letërsisë së shkrimtarit.
E pranishme gjatë kësaj nate ishte edhe e bija e vetme e Pashkut, Lule Pashku e cila e konsideronte përkujtimin për babain e saj si një ndjenjë të bukur sepse siç tregoi ajo, ai ishte nga ata shkrimtarët që ka punuar shumë dhe çdo herë ka përkrahur personat që kanë pasur dashur për artin.
Ora e Shkrimtarit: Hasan Mekuli
Më 30 tetor 2020 nga PEN Qendra e Kosovës u përkujtua kritiku letrar Hasan Mekuli (1929-1996). Për Mekulin, folën Sali Bashota dhe Osman Gashi, nën moderimin e Ibrahim Berishës.
Në hapje të aktivitetit, Ibrahim Berisha tha se Hasan Mekulin e konsideron një intelektual të jashtëzakonshëm. “Ishte një intelektual i tejguximshëm, i panënshtrueshëm. Këtë e ka treguar edhe në vitet e 80-ta kur fillon fushata shtetërore e Serbisë, po në fakt e Jugosllavisë, kundër shqiptarëve”, potencoi Berisha.
Sali Bashota e kujtonte me shumë emocion e nostalgji Mekulin, pasi ky i fundit kishte qenë edhe profesor i tij. Ai tregoi se profesorin e kujtonte gjithmonë me çantën e zezë në dorë e me plot libra, duke potencuar se kishte mësuar shumë nga Mekuli, pasi sipas Bashotës, ai ishte një enciklopedi.
Veprimtaria e Hasan Mekulit fokusohet kryesisht në kritikën letrare, për të cilën vlerësohet shumë lart nga pasuesit e tij. Bashota e kosnideron largëpamës gjykimin e tij, të drejtë, parimor e të formësuar estetikisht. Ndër të tjera, potencon se gjykimi i Mekulit ishte i veçantë dhe i pajisur me kulturë të gjerë teorike e shkencore.
Osman Gashi, i cili kishte qenë asistent i Mekulit, ndër të tjera, tha se “në shkrimet e tij diskursive ai do të sjellë informacione të shumta dhe do t’ia bëjë të njohur lexuesit në Kosovë autorët dhe veprat kulmore të letërsisë shqiptare të traditës dhe të asaj bashkëkohore, si dhe ato të letërsive të ndryshme, të afërta apo të largëta në kohë e në hapësirë. Për më tepër se tridhjetë vjet Hasan Mekuli, ndonëse gjithnjë e avancoi diskursin e tij, gjuhën kritike dhe qasjen ndaj veprave në veçanti si dhe letërsisë përgjithësisht, në esencë i mbeti besnik botëkuptimeve të tij mbi krijimtarinë letrare: të zbërthente në tërësi gjithë përbërësit e një vepre letrare, duke u marrë njëkohësisht me syzheun, kompozicionin, përmbajtjen, po ashtu edhe me jetëshkrimin e autorëve si dhe me pikëpamjet e tyre filozofike, politike, sociale. Gjithë këtë përvojë dhe këtë pasuri idesh e botëkuptimesh Hasan Mekuli e barti për shumë vite edhe tek studentët e tij të Albanologjisë”.
Ora e Shkrimtarit: Jusuf Gërvalla
Më 2 nëntor 2020, PEN Qendra e Kosovës përkujtoi veprën letrare dhe patriotike të Jusuf Gërvallës (1943-1992).
Për veprimtarinë e tij letrare dhe atdhetare. Kumtesat e tyre i prezantuan: Naime Beqiraj, Agron Gashi dhe Binak Kelmendi.
Për poeten Naime Beqiraj, Jusufi, krahas letërsisë, do t’i dhuronte artit edhe vetë kombit shqiptar një shije ndryshe për muzikën.
“Por, u këputën krahët e poetit për tu kthyer në një marathonomak, një luftëtar që nuk u harrua asnjëherë. Brezat u ndërruan, emrat u harruan, edhe mbiemrat, por letërsia mbetet. Ashtu siç mbeti i ri, vetëm 36 vjeçar – Jusuf Gërvalla”, tha me zërin përplot emocione poetja.
Beqiraj theksoi faktin se poezia e Jusufit, e rikthen lexuesin në fëmijërinë e vetë autorit. Sipas saj, sikur Jusufi t’i përkushtohej më shumë poezisë, sot nën emrin e tij do të ishin të jetësuara poezi edhe më të arrira.
Agron Gashi tha se Gërvalla më mirë se kudo tjetër, la gjurmë në poezi. Sipas tij poezia e Jusuf Gërvallës vie me e pasur me figura, por edhe më e pasur për nga ana stilistike.
“Jusuf Gërvalla më mirë se ku tjetër la gjurmë në poezi. Poezia e Jusuf Gërvallës parë në kontekstin kohor a hapësinor, përgjithnjë vjen më e ardhun si nga figuratika në t’menduem, ashtu edhe për nga stilistika në të shprehun, gjithnjë duke latue vargun e shkri fjalën”, pohoi Gashi.
Tutje ai shtoi se Gërvalla ishte edhe erudit, veprat e të cilit vënë në pah figurën shumëdimensionale të tij. Sipas tij vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij që ka mbetur gjallë në jetë, zëri prej këngëtari, poeti, prozatori, kitaristi e piktori.
“Jusuf Gërvalla ishte erudit. Vepra e tij, duke qenë e gjerë dhe e larmishme, vë në pah figurën shumëdimensionale të tij, si publicistin e regjur e këngëtarin e ndejës së hollë. Në tanësi, vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij i mbetur gjallë në jetë, është zani i tij prej këngëtari, poeti e prozatori, kitaristi e piktori, është zani i thelllë i medituesit të madh”, përfundoi Agron Gashi.
Binak Kelmendi evokoi kujtime nga takimet me Jusufin në “Rilindje” dhe me anëtarë të familjes së tij në Tiranë.
Ora e Shkrimtarit: Xhemail Mustafa
Më 6 nëntor 2020, nga PEN Qendra e Kosovës u përkujtua figura e gazetarit, publicistit e shkrimtarit, Xhemail Mustafa (1953-2000).
Në panel ishin Blerina Rogova Gaxha dhe Ibrahim Berisha, nën udhëheqjen e Avni Spahiut, të cilët me rrëfimet e fjalët e tyre shpalosën figurën e tij.
Për Ibrahim Berishën, i cili njihej personalisht me Xhemail Mustafën, kjo mbrëmje ishte tejet e veçantë për të. Edhe pak ditë bëhen 20 vjet nga vrasja e këtij të fundit, dhe siç shprehej Berisha, ishte një vrasje që nuk u zbulua dhe aq më keq nuk pati asnjë përpjekje për t’u zbuluar.
Ai, ndër të tjera, tregoi se si edhe Mustafa edhe Gërvalla ishin të dy miq që punuan në të njëjtën rubrikë, në atë të kulturës në gazetën “Rilindja” dhe se të dy këta punuan për lirinë e shqiptarëve. E, sipas Berishës, të dy këta u vranë për të njëjtën arsye, Jusuf Gërvalla u vra që të pamundësohej fitorja e lirisë, ndërsa Xhemail Mustafa për të vrarë lirinë e fituar.
Blerina Rogova Gaxha u fokusua më shumë në veprimtarinë kritike të Mustafës, e cila, tha ajo në kohën kur mendimi shqiptar luhatej në kolovajzën e tranzicionit, Mustafa kërkonte në botën e letrave aspekte të veçanta të veprave, që i përshtaten konceptit të tij për atë që ai e konsideronte të rëndësishme në krijimin e modelit të shkrimit e mendimit kritik-letrar.
Mbrëmjet e tilla, që i dedikohen figurave të shquara si ajo e Mustafës, nuk kanë si të mos bartin edhe emocion. Ajo që emocioni e përloti të gjithë ishte vajza e të shkrimtarit, Berianë Mustafa, e cila mes lotësh falënderoi PEN Qendrën e Kosovës për këtë përkujtim e nderim që i është bërë babait të saj.
Ora e Shkrimtarit: Rifat Kukaj
Më 10 nëntor 2020 PEN Kosova organizoi një takim letrar në kujtim të shkrimtarit të dashur të fëmijëve, Rifat Kukaj (1938-2005).
Për Kukajn folën miku i tij i letrave Ibrahim Kadriu dhe studiuesja Dije Demiri Frangu.
“Me 11 shtator të vitit 2005, në rërën e bregdetit të Ulqinit nga sulmi në zemër mbeti i vdekur Rifat Kukaj, duke pasur afër “Pshurranin e gjyshit”, nipin e tij të dashur të cilit ia kushtoi një libër të tërë”, filloi kështu fjalimin e tij Ibrahim Kadriu.
Ibrahim Kadriu ka shtuar se Kukaj ngrinte lart nivelin e manifestimit me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme. Sipas tij ishte pikërisht sharmi i tij i veçantë që bënte të pranishmit të kërkonin më tepër nga ai.
“Rifat Kukaj ishte një humorist i lindur i cili arrinte që rastet t’i shoqëronte me mahitë shumë origjinale. Kur kihen parasysh ato prezantime të tij, që lirisht mund të thuhet spektakle shumë origjinale, të vjen keq që nuk janë xhiruar për të mbetur vlera të pakapërcyera”, shtoi Kadriu.
Studiuesja Demiri Frangu tha shtuar se shkrimtari Rifat Kukaj posedonte një kreativitet të atillë që u shmangej rimave konvencionale dhe temave të shterura. Sipas saj ai nuk e ngarkonte poezinë me figura personifikimi.
Tutje Demiri ka thënë se “Rifati u jepte poezive deklamacion dhe bënte lojë kur i recitonte”.
“Rifati është ndër mësuesit tanë të letërsisë, sepse në një shoqëri analfabete, siç ishte Kosova pas Luftës së Dytë Botërore, ishte vështirë të lindnin krijues”, ka pohuar Demiri.
Ora e Shkrimtarit: Mensur Raifi
Më 13 nëntor 2020, në kuadër të “Orës së Shkrimtarit”, PEN Qendra e Kosovës, ka përkujtuar kritikun dhe studiuesin letrar, Mensur Raifi (1938-2017).
Për Raifin, i cili njëherësh ishte përkthyes e profesor i letërsisë frënge në Universitetin e Prishtinës, folën studiuesit Gëzim Aliu, Flamur Maloku dhe Nerimane Kamberi.
Teksa nisi ta hap diskutimin, ligjëruesja universitare, Nerimane Kamberi ndau mendimet e saja për ish-profesorin e saj. Ajo rrëfeu se në vitin 1990 në Paris kishte takuar profesorin Predrag Matvejeviç, me të cilin pati diskutuar edhe për Mensur Raifin.
Kamberi tha se Mensur Raifi pasuroi studimet shqiptare me hulumtimet dhe përkthimet e tij për Lasgushin, Nolin, Migjenin, e sidomos për autorët francezë.
“Profesor Raifi solli një mënyrë ndryshe të të shpjeguarit të letërsisë, në një sistem arsimor ende ‘tradicional’ dhe socio-realist. Lirisht mund të themi se ishte avandgard si pedagog”, vlerësoi Nerimane Kamberi.
Pasi përmendi të gjithë autorët, veprat e të cilëve i kishte analizuar Raifi, Gëzim Aliu u përqendrua më gjerësisht te libri “Mbi prozën bashkëkohëse shqiptare”.
“Ky libër i tij, siç shprehet edhe vetë, është skicë e strukturës bashkëkohëse të prozës shqipe që do të shkruhet pas disa vitesh”, tha Aliu, duke përmendur tutje tendencat që Mensur Raifi kishte vërejtur në prozën bashkëkohëse shqipe.
Raifi kishte shkruar edhe për çështjen e përkthimit, të cilën e shtroi në librin “Polemika letrare”.
“Në këtë libër gjenden tekste të një polemike lidhur me përkthimin e Artur Rembosë zhvilluar në tri gazeta të ish-Jugosllavisë. Këto tekste Raifi i tubon në një libër, për të cilin thotë se është i pari i këtij lloji në Kosovë”, konstatoi Gëzim Aliu.
Diskutimin e vazhdoi studiuesi i letërsisë, Flamur Maloku, i cili theksoi se përherë është mahnitur kur ka lexuar Mensur Raifin.
“Është prej kritikëve që vazhdimisht më ka fascinuar për mënyrën e trajtimit të letërsisë dhe autorëve, e sidomos shija e tij e hollë ndaj autorëve të letërsisë shqipe, por edhe autorëve të letërsisë botërore”, vlerësoi Maloku.
Ora e Shkrimtarit: Mirko Gashi
Më 20 nëntor 2020 u përkujtua poeti bohem i letërsisë shqipe, Mirko Gashi (1939-1995), si njëri ndër poetët më të rëndësishëm të poezisë bashkëkohore shqipe që dallohej jo vetëm me vargun e tij poetik, por edhe për fjalën e tij, ecjen, sjelljet dhe stilin e tij.
Këtë përkujtim e bëri PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit”.
Për jetën e veprën e Mirko Gashit folën Sali Bashota, Osman Gashi dhe Naime Beqiraj,
“Të pasurit mik një poet si Mirko Gashi, padyshim që lë gjurmë te secili”. Kështu tha Bashota në fjalën hyrëse tek përkujtoi poezinë e tij kushtuar Gashit pas vdekjes, duke i cituar vargjet: “Ëndërr paska qenë liria/ Zhgjëndërr poezia e vdekjes/Vare çelësin në mur le të këndojë orëqyqja/Ndërroji teshat e trupit mos të krimbet vetmia ime…”, ishin disa nga vargjet e poezisë që zbërthenin shumëçka nga jeta e Mirkos.
Për studiuesin dhe profesorin Osman Gashi, Mirko është njëri ndër poetët më fatkeq të letërsisë shqipe, sidomos të asaj që krijohet në Kosovë.
“Ai nuk u kuptua plotësisht, madje shpeshherë edhe u keqkuptua. Jeta e tij ridhte përgjithësisht jashtë konvencave shoqërore, poezia e tij në pjesën më të madhe i shpërthente kornizat letrare të kohës.
Për Naime Beqirajn, Mirko Gashi ishte ëndërrimtar, vrojtues, ndërtues, stigmatizues e shigjetues njëkohësisht dhe se askush para tij nuk ka shkruar kështu. Ai nuk ishte i zakonshëm, as në jetë, as në krijimtari.
“Në poezitë e të gjitha librave që botoi, ndërtohen iluzionet që burojnë herë nga revolta, herë nga dashuria, e sidomos dashuria e cila në poezitë e Gashit resh pa pushim, ndonëse me thurje të ndryshme. Dashuria e Gashit është edhe lojë, edhe fjalë, edhe heshtje, edhe mitologji, edhe gëzim”, tha Naime Beqiraj.