Shkrimtarët e PEN Qendrës së Kosovës dënojnë përpjekjen e Rusisë për të invaduar Ukrainën. Në këto çaste të vështira të popullit ukrainas, bashkëndiejmë vuajtjet e dhimbjet e civilëve dhe të tjerëve në këtë luftë të imponuar.
Shkrimtarët e Kosovës, bashkë me popullin e vet, para më shumë se dy dekadave, e kanë përjetuar shtypjen dhe përpjekjen për gjenocid nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit. Lufta për liri është e drejtë e çdo populli, prandaj përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare është e domosdosshme për të ndaluar një gjenocid tjetër.
PEN Qendra e Kosovës, si anëtare e PEN International, solidarizohet me PEN Qendrën e Ukrainës dhe përkrah zërin e saj të ngritur për ndalimin e mënjëhershëm të përpjekjeve për invadim të Ukrainës nga Rusia.
Shkrimtarë ukrainas, jemi me ju dhe me popullin tuaj liridashës.
PEN Qendra e Kosovës
Binak Kelmendi – Kryetar
Prishtinë, 28 shkurt 2022