PEN Qendra e Kosovës dhe PEN Qendra e Shqipërisë me aktivitete të përbashkëta në shënimin e 100 – vjetorit të themelimit të PEN International

Në kuadër të bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Kosovë, PEN Qendra e Shqipërisë dhe PEN Qendra e Kosovës, në Tiranë e shënuan 100- vjetorin e themelimit të PEN International.

Me këtë rast u zhvilluan një varg aktivitetesh letrare dhe u ndanë çmime dhe mirënjohje për vepra dhe veprimtari letrare.

Fjalë mbajtën znj. Entela Kasi, kryetare e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe z. Binak Kelmendi, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës.Gjithashtu, z. Besnik Mustafaj, paraqiti kumtesën 100-vjetori i PEN-it International.

Në kuadër të aktivitetit u nënshkrua Akti i Marrëveshjes për themelimin e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë ‘PEN’ (Shqipëri- Kosvë), i cili do të mbahet në Prishtinë dhe në Tiranë.

Në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të PEN International, PEN Qendra e Shqipërisë dhe PEN Qendra e Kosovës, shpallën fituesit e Çmimit letrar PEN vitin 2021 de. Me kë rast, çmimi për vepër letrare iu nda shkrimtarëve: Ibrahim Berisha, për veprën me tregime “Aroma e qiellit” dhe Besnik Mustafaj, për veprën “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin”, ndërsa me mirënjohje të veçanta u nderuan: Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Sadik Bejko dhe Mal Berisha.

Gjithashtu, u zhvillua një diskutim i gjerë për përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme të botës, me ç’rast referuan, Avni Spahiu dhe Ben Andoni. Më pas, u promovua revista letrare dhe kulturore “PEN Kosova” (1, 2, 3), ku fjalën e paraqiti kryeredaktori i saj, Osman Gashi.
Ditën e dytë të aktiviteteve, PEN Qendra e Shqipërisë dhe  PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të 100 – vjetorit të PEN International , (Organizata Ndëkombëtare e Poetëve, Eseistëve dhe Prozatorëve), me seli në Londër, zhvilluan agjendën e veprimtarive të përbashkëta në Bibliotekën Publike, “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës.
Z. Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë së Lezhës, në fjalën e mirëseardhjes për shkrimtarët e Kosovës dhe Shqipërisë, falënderoi Qendrat PEN të dy shteteve, për praninë e tyre në Lezhë,  duke theksuar  rëndësinë e këtij rajoni dhe qyteti si një qendër përfaqësuese identitare, për trashëgiminë historike dhe kulturore të shqiptarëve.
Presidenti  i PEN për Kosovën, z. Binak Kelmendi, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi autoritetet vendore për mikpritjen e veprimtarisë së PEN-eve, si edhe për vizionin e tyre për zhvillimin e qytetit dhe rajonit në fushën e turizimit, kulturës, dhe trashëgimisë kulturore për shqiptarët dhe më gjerë.
Znj. Entela Kasi, Presidente e PEN-it në Shqipëri, në fjalën e saj solli në vëmendjen e shkrimtarëve rëndësinë e PEN International në arenën ndërkombëtare, dhe theksoi parimet mbi të cilat është themeluar kjo Organizatë në Londër, në vitin 1921, prej autoriteteve të letërsisë botërore dhe intelektualëve të kohës. Çështjet e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, janë dhe mbeten shtylla të njerëzimit në të gjitha kohët. Letërsia dhe punët e artit janë pasuri për njerëzimin, pavarësisht kufijve, gjuhëve, racave dhe etnive.
Poeti dhe publicisti i njohur nga Afganistani, tashmë rezident në Shëngjin, Mujib Mehrdad, anëtar i Bordit të PEN Afganistanit, fitues i disa çmimeve prestigjioze për letërsi në botë, në fjalën e tij publike për mediet dhe të pranishmit duke bërë një përmbledhje të kohëve më të vështira që po përjeton aktualisht populli dhe vendi i tij,  falënderoi shqiptarët, autoritetet shtetërore dhe vendore për faktin që në Shqipëri ndjehen jo vetëm të shpëtuar, por edhe të integruar. PEN Qendra e Shqipërisë dhe PEN Qendra e Kosovës, nderuan Kryetarin e Bashkisë së Lezhës, z. Pjerin Ndreu, me Certifikatën e Mirënjohjes PEN, për kontribute të çmuara për promovimin e gjuhës, letërsisë dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në botë. Motivacioni i këtij vlerësimi u lexua nga Flamur Shala. Me respekt të veçantë, u përkujtuan poetët, Fatos Arapi dhe Basri Çapriqi, për të cilët referuan Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Ben Andoni dhe Entela Kasi. Në kuadër të bashkëpunimit për vitin 2022, midis dy PEN Qendrave, folën Sali Bashota dhe Ben Andoni.
Në  përmbylljen e aktiviteteve dy ditore të Qendrave PEN, shkrimtarët Ibrahim Kadriu, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Ahmet Prençi, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Mujib Mehrdad, Arben Çejku, Osman Gashi, Flamur Shala etj.,  lexuan nga krijimtaria e tyre në poezi dhe prozë. Moderimi i të gjitha aktiviteteve të mbajtura në Tiranë dhe Lezhë, u bë nga shkrimtari, Liridon Mulaj

Aktivitetet e fundit

Aktivitete të tjera

Ora e Shkrimtarit (2)

Ora e Shkrimtarit