Përmbyllet ‘Ora e shkrimtarit 2’ me përkujtimin e autorit ikonik të letërsisë bashkëkohore shqipe, Musa Ramadani

Era Berisha

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u përkujtua figura e Musa Ramadanit, një krijues i veçantë i letërsisë bashkëkohore shqipe që la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e çdo njeriu të pranishëm në mbrëmjen letrare që i dedikohej këtij poeti, dramaturgu, përkthyesi e shkrimtari unik, siç ishte vetë ai. Për publikun, ky përkujtim erdhi në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës, e që shënon edhe fundin e këtij edicioni, shkruan KultPlus.

Për të nderuar Ramadanin, në panel të ftuar ishin të ftuar: profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Osman Gashi dhe shkrimtari Agron Gashi, nën moderimin e Ibrahim Berishës, të cilët diskutuan e shpalosën para publikut me një nostalgji të madhe se çfarë vlerash të mëdha kishte dhe vazhdon t’i ketë Ramadani dhe vepra e tij.

Mbrëmjen e hapi moderatori Ibrahim Berisha, i cili Ramadanin e konsideronte si një shkrimtar i cili ishte i përkushtuar vazhdimisht në fushën e kulturës. Ai identifikohej me përzgjedhjen e vazhdueshme të teatrit e ishte i spikatur për lidhjet e tij me atë se çfarë ka ndodhur me fushën e dramës. Ndërkohë, poezia e proza cilësohen si fokuset kryesore të krijimtarisë së Ramadanit.

“Me cigaren në dorën e majtë e kapelën që e mbante çdo herë, përherë me një libër në dorë, Ramadani ishte i vetmuar por shumë miqësor, i dashur vazhdimisht, krenar dhe gjithmonë i gatshëm të bisedojë për letërsi e çështje kulturore”, kujton Berisha Berisha para se t’iu ipte fjalën dy panelistëve.

Pastaj, duke e cilësuar Musa Ramadanin si ‘Avangardisti i Kosovës’, shkrimtari Agron Gashi e lartëson figurën e autorit i cili për të duket se ka sjellur një frymë të re në të gjitha zhanret letrare.

“Musa Ramadani, aristokrat në jetë e në letra, rreth pesë dekada më parë solli një frymë të re në të gjitha zhanret letrare: poezi, prozë, dramë, kritikë teatri dhe gazetari. Ai përherë ishte dhe mbeti konsistent në veprime e brilant në shkrime. Musa Ramadani jetën e bëri art, dashurinë, dhimbjen-letërsi. Dhe s’kishte se si të ishte ndryshe: Mik i Pashkut e i Teki Dervishit, i Beqir Musliut dhe i Jusuf Gërvallës, i Bekim Fehmiut, i Rugovës, dhe i shumë të tjerëve, që janë në amshim, por edhe në mesin tonë, e që ngushëllohen me librin e tij të gjallë. Musa Ramadani ishte sharmi dhe eleganca e këtij brezi. Ndaj, jeta dhe vepra e tij është një simbioze identitetesh e personalitetesh letrare, për të qenë vetë krejt unik, në kulturë e komunikim, kërkues dhe eksperimentues i madh, përgjithmonë i hapur ndaj frymës letrare evropiane”, thotë Gashi.

Sipas tij, Musa Ramadani ka lënë një bibliografi të pasur që kap mbi gjysmë shekulli krijimtari letrare, nga viti 1969 e deri më sot. Fitues i shumë çmimeve, vepra e Musa Ramadanit është cilësuar si e gjerë dhe e shumanshme, në prozë, poezi, pikturë, kritikë teatri, muzikë dhe gazetari.

“Shkrimtari Musa Ramadani ka motivuar që letërsia bashkëkohore shqipe të pasurohet me laramani formash, teknikash të rrëfimit e të shkrimit poetik. Kështu, vepra e tij paraqet një enciklopedi formash letrare, duke lëvizur nga dokumentariteti te fiksionaliteti i thellë. Ajo është e hapur ndaj teksteve dhe mediumeve të ndryshme, si: muzikës, pikturës, kinematografisë. Mirëpo, kur kritika dhe lexuesit menduan se Ramadani i kreu të gjitha provat e eksperimentimit në të gjitha zhanret, ashtu si sivëllezërit e tij letrarë, pikërisht kur në Kosovë u riaktualizua zezona si fatum, Ramadani shpërtheu me një tjetër model romani, roman sintezë siç është Antiprocesioni (1997), të cilin edhe vetë autori e ka cilësuar si roman metafizik, sintetik dhe mistik”, thotë ai.

Për Gashin, autori me poezinë e tij personale e mitike, herë me shenja autobiografike, herë me finesa filozofike, shënjon një hap me tutje drejt një avancimi të gjuhës poetike. Kësisoj, Ramadani është nismëtar dhe përfaqësues i poetikes voko vizuale, sinjalistike dhe intermediale në letrat shqipe.

“Shkrimtari Musa Ramadani me prozën e tij, qoftë ajo sipas skemës klasike, moderne e postmoderne, letërsisë shqipe i ka dhënë modele të veçanta dhe krejtësisht autentike. Ajo është letërsi e erudicionit të thellë me elemente të theksuara moderne dhe postmoderne. Proza e tij, përveç tjerash, përfaqëson më së miri golgotën shqiptare, siç është romani Zezona, e cila trandi pushtetin politik dhe për katër vjet mbeti e mbyllur nëpër sirtarë të zyrave të ish sistemit”, përfundon Gashi.

Ndërsa, për të treguar më thellësisht për prozën e shkurtër të Musa Ramadanit, foli profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Osman Gashi.

“Musa Ramadani është pa dyshim një nga krijuesit më të veçantë të letërsisë bashkëkohore shqipe të këtij krahu, një nga shkrimtarët më produktivë – romancier, dramaturg, poet, tregimtar, kritik teatri, publicist e përkthyes. Është i veçantë për shkak të vëllimit të veprave letrare, por para së gjithash, për shkak të risive që ka sjellë në të gjitha veprat e tij e që përgjithësisht janë në linjë me zhvillimet në letërsinë evropiane e më gjerë. Në fushë të poezisë, përveç tjerash ai e çon deri në skajshmëri tipin e poezisë associative, eliptike si dhe fut ndër të parët të ashtuquajturën poezi vokovizuale e kaligramin. Në prozë shquhet për asimilimin e teknikave moderne e postmoderne të shkrimit, monologun e brendshëm, kodimin e dyfishtë, asociacionin e introspeksionin, pastishin etj. Me disa tipare që e karakterizojnë, proza e shkurtër e Ramadanit na e kujton prozën e Borhesit e të Dino Buxatit, duke pasur parasysh elementet esesistike, përzierjen e mitit, historisë e letërsisë, misterin, fantastiken etj”, thotë Gashi.

Sipas tij, Musa Ramadani ka qenë përkthyes i çmuar duke pasur parasysh prurjen e veprave të shkrimtarëve të njohur në gjuhën shqipe, si: Per Lagerkuist, Jezhi Andzhejevski, Dino Buxati dhe disa shkrimtarë të Lindjes ndër të cilët duhet veçuar romanin “Legjenda mbi Araratin” të autorit turk Jashar Qemal dhe “Bufi i verbër” të Sadek Hedajat, I cili është quajtur edhe Kafka I Lindjes. Nuk duket të jetë e rastësishme përzgjedhja e veprave nga këto letërsi, madje raporti i tij me Letërsitë e Lindjes shpesh sikur shndërrohet në një preokupim të përhershëm a obsesion.

“Temat e motivet kryesore që trajtohen në tregimet e tij janë: jeta e preokupimet e njeriut nga ambienti urban, njerëzit e margjinave, të braktisurit, pleqtë, gratë, kotësia, dilemat e njeriut të thjeshtë, përpjekja për shkëputje e distancim nga jeta publike si dhe a ajo politike. Që nga viti 1969, kur botoi veprën e parë, vëllimin me poezi “Mëkatet e Adamit”, Musa Ramadani u shqua si një individualitet krijues karakteristik me një botë të veçantë preokupimesh e observimesh artistike. Libri me tregime “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, i botuar më 1987 shpreh një avancim të dukshëm në planin përmbajtësor, tematik e stilistik të krijimtarisë së deriatëhershme të M. Ramadanit. Gama e interesimeve tematike të autorit është mjaft e gjere. Të tetëmbëdhjetë tregimet e këtij vëllimi na e shpalojnë një botë specifike, në dukje të parë të përshkruara me gjuhën e përditshmërisë, por ku fshihet tendenca për alegorizim e aluzione të mirëfillta”, thotë ai.

Për Osmanin, Musa Ramadani me sukses ka risemantizuar dhe riformësuar motivet e letërsisë sonë popullore, veçanërisht në tregimet: “Tri dritaret” dhe “Pogaçja e gurtë”.

“Në tregimin e fundit të përmbledhjes “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, autori ka vënë në spikamë dukurinë e shpërnguljes, jo duke e përshkruar atë, por përmes pasojave të mëvonshme që lë kjo dukuri në psikën e njerëzve. Takimet pas një kohe shumë të gjatë gjithsesi janë të dhembshme. Ato kurrsesi të vihen në raporte afrie e të natyrshme. Studiuesi amerikan i letërsisë Harold Blum i kishte identifikuar dy lloje tregimesh: ato që rrjedhin nga Çehovi dhe ato që rrjedhin nga Borhesi. Cili lloj dominon deri sot në letërsinë shqipe, nuk mund ta them tash me siguri, por jam i bindur se në thelbin e tregimit të Musa Ramadanit nuk qëndron trashëgimia e Çehovit”, përfundon Osmani.

Ndërkaq, në një mbrëmje letrare si kjo, përveç mendimeve të artikuluara dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga paneli, tutje nga të pranishmit u treguan histori të veçanta e kujtime të cilat vështirë se harrohen ndonjëherë.

Në anën tjetër, kësaj mbrëmjeje nuk i mungoi as fryma poetike e që mbrëmë erdhi pikërisht nga dy studente të Degës së Letërsisë si: Edlira Musliu dhe Festina Krasniqi, të cilat në një kontrast të dallueshëm nga njëra-tjera, po aq edhe të veçantë, para publikut recituan poezitë: ‘Manët nuk harrojnë’, ‘Miqtë e mi memecë’, ‘Një mëkat pranvere’ si dhe ‘Molla e Eridës’, duke bërë kështu që jehona poetike e autorit të dhurojë shkëndija frymëzimi tek të pranishmit.

Ky ishte aktiviteti i shtatë me radhë dhe njëkohësisht i fundit në kuadër të projektit të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit2” e PEN Qendrës së Kosovës.   

Më parë janë përkujtuar shkrimtarët si: Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti dhe Ramiz Kelmendi. / KultPlus.com

Aktivitetet e fundit

Aktivitete të tjera