Promovimi i letërsisë shqipe

Promovimi i letërsisë shqipe: Martin Camaj

Në kuadër të projektit të saj kulturor, PEN Qendra e Kosovës, më 11 shkurt 2020 ka mbajtur aktivitetin letrar në promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Me këtë rast është prezantuar krijimtaria letrare e Martin Camajt (1925-1992).

Studiuesit, kritikët letrarë dhe shkrimtarët, si Milazim Krasniqi, Osman Gashi, Blerina Rogova Gaxha dhe Anton Berishaj, prezantuan kontributet e tyre studimore, sa i përket veprimtarisë letrare të Martin Camajt.

Milazim Krasniqi prezantoi kumtesën titulluar “Një mbresë për Martin Camajn”.

Ai rikujtoi njohjen me poetin dhe idenë se si përthyhej personaliteti dhe përvoja e tij në realitetin tonë letrar në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar dhe rolin që ka sot, për t’i ndihmuar procesit të rivlerësimit të letërsisë shqipe sot.

Më pas ai foli për dhimbjen kur Camaj u nda nga jeta, dhimbje kjo për humbjen e një personaliteti të jashtëzakonshëm të letërsisë shqipe, me hapjen e këtij debati në kuadër të PEN Qendrës së Kosovës, Krasniqi e vlerësoi si një xixë shprese për të dalur nga shtjella e dekulturimit dhe e deshqiptarizimit, duke e vlerësuar Camajn si frymëzim për gjeneratat e sotme.

Në vazhdim, Blerina Rogova Gaxha e paraqiti kumtesën me titullin, “Martin Camaj, udhëtimi nëpër jetë”.

Ajo udhëtimin e Camajt e cilësoi si një imponim të braktisjes së një jete të cilën ai e ndjeu se do të ishte e egër. Ajo përmendi largimin e tij nga origjina dhe realitetin e një të mërguari të hedhur në shkrim.

“Kënga popullore si pikënisje dhe frymëzim”, ishte kumtesa e radhës të cilën e prezantoi profesori Osman Gashi.

Camajn ai e vlerësoi si një ndër poetët më të veçantë të letërsisë shqipe.

“Temat e motivet më të shpeshta në poezinë dhe prozën e tij ishin: vendlindja, rrafshet, luginat e bjeshkët ku mrizonin zanat, mitet e legjendat, trolli i shpisë, votra, oborri, arat, Drini, pyjet, kullotat, pastaj simbolet si gjarpri, breshka, buelli, shiu, nana…”, tha Gashi.

Profesori Anton Berishaj shpalosi kumtesën e tij me titullin, “Mimesisi dhe metafiksioni – Proza e Martin Camajt”.

Në fjalën studimore të tij, Berishaj iu qas kësaj problematike, “duke pasur parasysh perspektivën teorike bashkëkohore lidhur me mimesisin dhe metafiksionin, po gjithnjë duke i mbajtur në horizont edhe fundamentet teorike të relacionit letërsia/bota, teksti/realiteti, fiksioni/fakti që nga paradigma aristoteliane e mimezës gjer te paradigma bashkëkohore  e botërave të mundshme/fiksionale/alternative/virtuale, të cilat përcaktojnë jo vetëm idenë filozofike të etnosit letrar, por edhe implikimet në afiliacionin poetik e zhanror të teksteve letrare.”

Promovimi i letërsisë shqipe: Ali Podrimja

Më 12 shkurt 2020, kur festohet përvjetori i daljes së numrit të parë të “Rilindjes”, u përkujtua poeti Ali Podrimja (1942-2012) i cili në Edicionin e “Rilindjes” ka punuar redaktor i poezisë dhe i prozës.

Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Binak Kelmendi dhe Adil Olluri ishin panelistët që sollën emocione prej momenteve të tyre me Ali Podrimjen, kryepoetin e poezisë shqipe dhe ndoshta poetin më emblematik shqiptar që rroki temat më të thella shqiptare me anë të penës së tij.

Ibrahim Berisha lexoi punimin me titullin “Poezia Lum Lumi, i biri dhe baba”, duke trajtuar sidomos përmbledhjen “Lum Lumi”, përmbledhjen më të rëndësishme të krijimtarisë së shkrimtarit Ali Podrimja, e që lidhet me mizorinë më të madhe që i ndodhi në jetë autorit, vdekja e Lumit – një prej fëmijëve të tij dhe Fitores.

“Këtu flitet për një djalë vocërrak të sëmurë për vdekje, që nuk flet, por ende shpreson, dhe për një poet që nuk e pranon përfundimin. Sikur ballafaqohen i pafuqishmi me të pafuqishmin, në një mënyrë për të bashkëjetuar në një udhëkryq dramatik. Poezia “Lum Lumi”, kishte lindur nga besimi i guximshëm dhe mospërfillja e të pamundshme, sepse kërkohet pa kusht vazhdimi i një jete”, tregoi Berisha.

Sali Bashota tha se nuk e ka njohur asnjëherë një tjetër njeri që gjatë tërë ditës ka qenë poet, vetëm poet, qoftë me fëmijët e tij, me Fitoren – bashkëshorten, me nxënësit, me kalimtarët në rrugë, me kolegët.

Bashota madje edhe u emocionua disa herë derisa po lexonte kujtimet e tij me Ali Podrimjen. Njëri kujtim ishte Rea, vajza e Bashotës, së cilës emrin ia kishte vënë Podrimja. Kur vajza më vonë e pyeti Bashotën se pse nuk po takohej më me Ali Podrimen, ai do të duhej ta gjente një mënyrë t’i tregonte vajzës se poeti kishte vdekur, kishte shkuar në parajsë.

Për Bashotën, Ali Podrimja ishte mësues shpirtëror i një gjenerate shkrimtarësh e studiuesish të Kosovës, ishte ai që mësoi të tjerët, si të shkruhej poezia.

Disa poezi të Podrimjes u lexuan gjatë natës, sepse pa këto poezi do të ishte e vakët një mbrëmje kur kujtohet Ali Podrimja.

Binak Kelmendi kujtoi se në takimin e fundit me Ali Podrimjen, para se ai të nisej për në Lodeve të Francës, ‘sikur ia pashë nurin e vdekjes në fytyrë’.

Adil Olluri dalloi se te poezitë e Ali Podrimjes mungon poezia e dashurisë, e cila edhe kur është e pranishme, gjithmonë ka pasur një ndërthurje me motive të tjera më të rënda.

Promovimi i letërsisë shqipe: Teki Dërvishi

Më 13 shkurt 2020, PEN Qendra e Kosovës mbajti takim letrar për Teki Dërvishin (1943-2011). Për jetën dhe veprën e shkrimtarit, kumtesat e tyre i prezantuan: Haqif Mulliqi, Ibrahim Kadriu, Dije Demiri Frangu dhe Flamur Maloku.

Dije Demiri Frangu tregoi se Teki Dërvishi ishte i veçantë edhe si njeri në jetën e përditshme, duke qenë i përkryer si poet, prozator, një artist i shkapërderdhur në shumë zhanre, por i suksesshëm në të gjitha.

Ibrahim Kadriu evokoi kujtim nga jeta, puna dhe veprimtaria e Tekiut, duke qenë bashkëmoshatar edhe në krijimtari.

Haqif Mulliqi tha se “Bregu i Pikëllimit”, është një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat e Teatrit, dallohet sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.

Flamur Maloku kujtoi në fund se dikur e kishte mësuar përmendësh librin “Nimfa”, në të cilin ishte dashuruar qysh në leximin e parë.

Aktivitetet e fundit

Aktivitete të tjera