Promovimi i letërsisë shqipe: Basri Çapriqi
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” e Ulqinit dhe PEN Qendra e Kosovës kanë shënuar 60-vjetorin e lindjes së poetit dhe studiuesit të letërsisë prof. dr. Basri Çapriqi (1960-2018) me një veprimtari shkencore dhe letrare, e cila është mbajtur në Ulqin, më 17-18 janar 2020.
Në këtë kuadër është organizuar Sesioni shkencor “Poeti i detit”, në të cilin morën pjesë njohësit dhe studiuesit më të mirë të veprës së Çapriqit, nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria, si Milazim Krasniqi, Bashkim Kuçuku, Sali Bashota, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Binak Kelmendi, Ismet Kallaba, Nail Draga, etj.
Gjithashtu, është mbajur edhe Ora letrare, “Dritaren lëre hapur”, në të cilën janë lexuar vargje nga krijimtaria e Çapriqit, si dhe vargje kushtuar poetit të ndjerë nga aktorë, poetë, miq dhe kolegë të tij.
Prof. dr. Basri Çapriqi ishte profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ishte njëri ndër themeluesit e SHAI “Art Club”, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Çapriqi ka lënë trashëgim një numër të madh të veprave, ku përfshihen disa përmbledhje me poezi, libra me ese dhe studime letrare, publicistikë etj. Ai u nda nga jeta, më 14 janar 2018.